ShowStil/Jetë

Psikologia klinike: Shoqëria po ndëshkon autenticitetin

KAON

Psikologia klinike: Shoqëria po ndëshkon autenticitetin – rasti i Juxhinit në Big Brother VIP

Rasti i Juxhinit në Big Brother VIP Albania 5 ka hapur një debat më të gjerë mbi mënyrën se si shoqëria shqiptare reagon ndaj autenticitetit, sinqeritetit dhe sjelljeve spontane. Në një analizë psikologjike publike, psikologia klinike Anjeza Koruni ngre shqetësimin se ajo që po ndëshkohet sot nuk është sjellja e gabuar, por të qenit vetvetja.

Sipas Korunit, Juxhini paraqet një personalitet të hapur, social dhe ekspresiv, i klasifikuar në psikologji si “high extraversion”. Ai përdor humorin si mënyrë komunikimi, shpreh hapur emocionet dhe kërkon lidhje të sinqerta me të tjerët – cilësi që në një mjedis të shëndetshëm shoqëror do të duhej të inkurajoheshin.
“Po shohim një shoqëri që po ndëshkon pikërisht atë që duhet të mbrojë: autenticitetin,” thekson Koruni, duke e cilësuar këtë si një simptomë të një frike kolektive ndaj të qenit i vërtetë.

Incidentet dhe reagimet disproporcionale

Analiza ndalet edhe në dy episode konkrete brenda shtëpisë së Big Brother. Në rastin e parë, një shaka e Juxhinit ndaj Ilirit u interpretua si përçmim, duke sjellë një reagim të fortë emocional dhe kërcënues nga ana e këtij të fundit. Sipas psikologes, reagimi ishte disproporcional dhe tregues i disrregullimit emocional, ndërsa Juxhini reagoi me befasi dhe kërkim faljeje.

Në rastin e dytë, një situatë humori me Brikenën u interpretua si tejkalim kufijsh personalë. Koruni thekson se, megjithëse kufijtë janë thelbësorë, konteksti dhe dinamika e mëparshme mes personave nuk mund të injorohen, sidomos kur bëhet fjalë për një marrëdhënie të ndërtuar mbi lojën dhe humorin.
Mesazhi që po transmetohet

Sipas psikologes, mënyra se si po trajtohet Juxhini po dërgon një mesazh të rrezikshëm: se autenticiteti është i dënueshëm, se sjellja konsistente nuk ka vlerë dhe se njerëzit duhet të fshehin veten për t’u pranuar. Kjo, sipas saj, krijon ankth, vetëcensurë dhe marrëdhënie sipërfaqësore në shoqëri.
“Kur një shoqëri ndëshkon spontanitetin dhe sinqeritetin, ajo prodhon njerëz me maska, jo njerëz të lirë,” shprehet Koruni.
Big Brother si pasqyrë shoqërore

Në përfundim, analiza e konsideron Big Brother VIP jo thjesht si një reality show, por si një pasqyrë të shpirtit kolektiv. Çdo reagim, votë apo gjykim, sipas psikologes, është një zgjedhje mes dy modeleve shoqërore: një shoqëri të ndërtuar mbi frikën dhe strategjinë, ose një shoqëri që vlerëson guximin për të qenë i vërtetë.
“Një shoqëri nuk matet nga perfeksioni, por nga guximi i njerëzve të saj për të qenë vetvetja,” përfundon Koruni.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?