Aktualitet

Sadushi “pranon” dështimin në Reformën e Drejtësisë

KAON

Në konferencën “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, bëri një sërë deklaratash mbi ecurinë e Reformës në Drejtësi.

Megjithëse ai e cilësoi reformën si një sukses që ka “shkëputur lidhjet politike” dhe ka “shkatërruar kulturën e pandëshkueshmërisë”,  Sadushi pranoi se reforma është “ngadalësuar nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar me të njëjtin idealizëm që u ndërtua”. 

Ndërkohë ky pohim ngre pikëpyetje se si mund të quhet e suksesshme një reformë që nuk ka gjetur vullnetin institucional për t’u zbatuar?

Sadushi e përshkroi drejtësinë shqiptare si “shpresë”, por në të njëjtën kohë pranoi se ngritja e institucioneve të reja nuk është fundi, por vetëm fillimi i reformës.

Kjo tregon se, pas viteve të propagandës për suksesin e reformës, sistemi ende përballet me sfida strukturore që nuk janë adresuar me seriozitetin e duhur.

“Sot pas 30 vitesh Shqipëria përballet me një provë të re, ta shndërrojë rezultatin e reformës në drejtësi në një proces të qëndrueshëm konsolidimi institucional.

Reforma në drejtësi shkëputi lidhjet politike që kishin paralizuar gjyqësorin, shkatërroi kulturën e pandëshkueshmërisë dhe vendosi integritetin në qendër të debatit. Drejtësia shqiptare u perceptua si shpresë. Drejtësia shqiptare duhet të tregojë maturi.

Duhet pranuar se ngritja e institucioneve të reja nuk është fundi i reformës, por vetëm fillimi i saj. Zbatimi i reformës është shoqëruar me vështirësi  që lidhet me plotësimin e trupës së magjistratëve, me mungesë koordinimi me institucionet e reja dhe me kufizimin e interpretimeve përkatëse.

Reforma nuk ka dështuar, por është ngadalësuar nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar  me të njëjtin idealizëm që u ndërtua.” – deklaroi ai

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?