Aktualitet

Veliaj ankimon dekretin e Presidentit në Kushtetuese: Cenon sovranitetin dhe autonominë e qeverisjes vendore

KAON

Ish-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin dhe pezullimin e menjëhershëm të Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025, i cili cakton datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore në gjashtë bashki, përfshirë Tiranën.

Sipas ankimimit të paraqitur nga avokatët e Veliajt, dekreti presidencial është “contra Constitutionem” (antikushtetues) pasi “cenon garancitë kushtetuese që gëzon një i zgjedhur vendor gjatë procedurës së shkarkimit”.

Pezullimi automatik i shkarkimit

Argumenti kryesor i kërkesës bazohet në Nenin 115, Paragrafi 2 dhe 3 i Kushtetutës. Avokatët theksojnë se, meqenëse Veliaj ka ankimuar vendimin e shkarkimit të Këshillit të Ministrave brenda afatit 15-ditor, ky vendim pezullohet automatikisht (ipso jure).

Në këto kushte, siç thuhet në ankimim: “Presidenti i Republikës mund ta caktojë datën e zgjedhjeve… vetëm në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese.”

Duke dekretuar zgjedhjet kur shkarkimi ishte ende në pezullim, Presidenti Begaj akuzohet se ka vepruar “sikur kjo garanci të mos ekzistonte” dhe e ka trajtuar shkarkimin si të përfunduar, duke krijuar një “gjendje fait accompli” (fakti të kryer)”.

Mbrojtja e demokracisë përfaqësuese

Ankimimi e vë theksin te mbrojtja e mandatit të Kryetarit të Bashkisë jo si një privilegj personal, por si “shprehje e sovranitetit të qytetarëve të Tiranës”.

“Kryetari i Bashkisë… është shprehja institucionale e sovranitetit qytetar dhe mishërim i drejtpërdrejtë i demokracisë përfaqësuese. Për këto arsye, mandati i tij gëzon mbrojtje të posaçme kushtetuese përballë ndërhyrjeve të parakohshme të pushtetit qendror”, thuhet në ankimim.

Sipas Veliajt, dekreti i Presidentit përbën një “ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë kushtetuese të qeverisjes vendore” dhe cenon të drejtën e komunitetit për t’u përfaqësuar nga zgjedhja e tyre me një mandat 4-vjeçar.

Rreziku i pasojave të parikthyeshme

Në kërkesë, paralajmërohet se mospezullimi i dekretit rrezikon të prodhojë pasoja të rënda, të parikthyeshme.

“Nëse Gjykata Kushtetuese do ta shfuqizojë shkarkimin pas zhvillimit të zgjedhjeve, do të krijohej një “situatë juridike e pakoordinuar” dhe absurde, ku do të ishte e pamundur rivendosja e status quo-së. Krijimi i një vakance të pavërtetuar ligjërisht dhe organizimi i zgjedhjeve mbi një bazë juridike të kontestuar minon legjitimitetin e zgjedhjeve, shkakton konfuzion institucional dhe vendos Gjykatën Kushtetuese përballë një situate fait accompli”, thuhet në ankimin e Veliajt në Gjykatën Kushtetuese.

Avokatët i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese mbrojtjen e menjëhershme të demokracisë përfaqësuese duke pezulluar menjëherë efektet e dekretit të Presidentit. Kjo kërkesë tani pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka në dorë fatin e mandatit të ish-Kryetarit dhe procesin zgjedhor në Tiranë.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?