Gjykata urdhëron SPAK-un të nisë hetimet penale ndaj Kryeministrit Edi Rama
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar SPAK-un të nisë hetimet penale ndaj Kryeministrit Edi Rama, në lidhje me shpronësimet në zonën ‘5 Maji’ në Tiranë. Hetimi ka në qendër Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 533, për të cilin qytetari Ledion Mziu pretendon se është përdorur për të favorizuar ndërtime private me lidhje politike, në dëm të interesit publik dhe të banorëve lokalë.
Në kallëzim përfshihen edhe akuza ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për shpërdorim detyre dhe shkelje të ligjit, ndërsa theksohet përgjegjësia e Kryeministrit si drejtues i ekzekutivit dhe si autoriteti që duhej të ndalonte veprime të paligjshme. Më shumë se 500 familje janë zhvendosur pa dëmshpërblim të drejtë, ndërsa trualli i tyre është shfrytëzuar për ndërtime shumëkatëshe private.
Fillimisht, Prokuroria e Tiranës e kishte pushuar çështjen për mungesë vepre penale, por pas ankimimit të avokatëve, rasti i është kaluar për kompetencë Gjykatës së Posaçme. Më 30 shtator 2025, gjyqtarja Rudina Palloj dhe prokurori Elvin Gokaj vendosën kthimin e çështjes për hetim të mëtejshëm.
Ky është një rast historik ku një Kryeministër në detyrë hetohet për korrupsion, duke e kthyer çështjen ‘5 Maji’ në simbol të betejës për drejtësi në Shqipëri.
Syri.net
