Aktualitet

Emërohet drejtori i ri i Përgjithshëm i Gardës së Republikës

KAON

Pas dorëheqjes së Ermal Onuzit, me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Simon Zereci, me gradën Drejtues i Lartë dhe funksion Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, është caktuar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës.

Simon Zereci që prej vitit 2013 ka mbajtur funksionin e rëndësishëm të Komandantit të Njësisë Speciale në Gardën e Republikës.

Kush është Simon Zereci

Simon Zereci ka përfunduar shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” dhe më pas ka ndjekur studimet e larta në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në specialitetin “Gjithëarmësh”.

Karrierën ushtarake e nisi në vitin 1986 në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, fillimisht si Komandant Toge në Repartin Ushtarak Zadrimë, më pas si Shef Stërvitjeje e të tjerë. Në vitin 1988 iu bashkua Gardës së Republikës, ku shërbeu në një sërë funksionesh, si: Komandant Toge; Specialist për Ruajtjen Fizike në Drejtorinë e Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komanant Toge në Kompaninë Operative; Zëvendëskomandant i Kompanisë Operative;  Përgjegjës i grupit të shoqërimit të Ministrit të Rendit Publik; Oficer shoqërues pranë Zyrës për Mbrojtjen e Personaliteteve; Shoqërues në grupin mbështetës në Degën e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komandant Grupi në Njësinë Speciale; e të tjerë.

Gjatë karrierës së tij të gjatë ushtarake, është dalluar për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë, duke rrezikuar edhe jetën në krye të detyrës. Në shtator të vitit 1998 është plagosur gjatë shërbimit, teksa mbante funksionin e Zëvendëskomandantit të Kompanisë Operative.

Zereci ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit në fushën e sigurisë, si: kurs për mbrojtjen e personaliteteve (VIP) në Egjipt; trajnim për sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore me instruktorë amerikanë; program ndërkombëtar sigurie i zhvilluar nga specialistë të sigurisë amerikane; trajnim në teknikat e avancuara të vetëmbrojtjes “Krav Maga Maor”, e të tjerë.

Në vitin 2020 mori gradën Kolonel, e cila me sistemin e ri të gradave u konvertua në Drejtues i Parë. Ndërsa grada Drejtues i Lartë iu dha kur me urdhër të Ministrit të Brendshëm, u emërua Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Gardës.

 

Por…

Emri i Simon Zerecit u bë i njohur pas një denoncimi të bërë nga kryedemokrati Sali Berisha në 15 korritk të vitit 2022.

Berisha publikoi një denoncim të mbërritur në llogarinë e tij, se Zereci, ka dhunuar qytetarin Iris Peti në Sauk, pasi punonjësit e Gardës po ktheheshin në ambientet e punës pas një aktiviteti të kryeministrit Edi Rama në një qytet në veri të vendit.

Sipas denoncimit të Berishës, qytetari ka qenë duke shoqëruar fëmijën e tij të mitur në shkollë ku ëhstë përplasur me punonjësit e Gardës, ku Zereci së bashku me 4 persona të tjerë e kanë qëlluar duke e lënë të dëmtuar rëndë.

Një akt çnjerëzor shtetëror!

Oficeri i lartë i Gardës keqtrajton rëndë dhe bën për spital berberin në prani të fëmijës, refuzohet nga policia hetimi i aktit të dhunës.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin e dhunës shtetërore ndaj qytetarit dhe indiferencën e policisë ndaj këtij akti”, shkruante kryedemokrati në atë kohë.

Denoncimi i Berishës në 15 korrik 2022:

Pershendetje dr Simon Zereci është Komandanti i Njësisë Speciale në Gardën e Republikës që është përfshirë disa kohë më parë në një incident të rëndë në kryeqytet me një qytetar, teksa ngjarja është mbajtur e fshehtë.

Ai ka qenë në shoqërinë e të paktën 5 anëtarëve të tjerë të Gardës, kur është përfshirë në një sherr fizik për motive banale. Punonjësit e Gardës po ktheheshin në ambientet e punës pas një aktiviteti të kryeministrit Edi Rama në një qytet në veri të vendit.

Një berber nga Sauku e denoncoi rastin e dhunës në Komisariatin nr.1 në Tiranë, ndërsa ngjarja nuk u raportua pavarësisht se i riu bëri kallëzim pasi përfundoi në spital. E gjithë ngjarja është zhvilluar për shkak të një mosmarrëveshje për bllokimin e rrugës.

Qytetari ka qenë pranë një shkolle duke shoqëruar fëmijën e tij të mitur në momentin që është përballur me gardistët, ku më aktivi në konflikt ka qenë pikërisht Zereci.

Ende pavarësisht denoncimit nga qytetari Iris Peti dhe marrjes dijeni nga Garda, policia dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nuk kanë bërë publik asnjë veprim konkret për zbardhjen e ngjarjes dhe sqarimin e saj.

Ngjarja ka ndodhur më 22 prill të këtij viti pranë shkollës “Ibrahim Brahja” në Sauk. Simon Zereci është ‘katapultuar’ në vitin 2013, në Gardën e Republikës, pavarësisht se prej vitesh ishte i papunë, ndërsa u ngjit menjëherë në detyrën e rëndësishme të komandimit të Njësi Speciale.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?