“Për një Kothere Buke’-Poezi nga Sokrat Turtulli
Për Një Kothere Buke
Ikim…
me valixhe bosh e shpirt të rënduar,
nga toka ku dikur lindi nderi,
por ku sot, për një thes miell të bardhë,
vota shitet si mall në treg të zi.
Nëpër fshatra ku s’ka më shkollë,
por makina luksi bëjnë rrugën baltë,
aty ku një kothere buke mjafton
për të blerë heshtjen e një jete të tërë.
Në qytete me dritare të zymta,
ku rinia vështron qiellin, jo të ardhmen,
aty ku fjalët janë të rreme si premtimet,
dhe gënjeshtra sundon me buzëqeshje të ftohtë.
Vota ime? E bleve, o pushtet i ndyrë,
për një thes ndihmash që mban vetëm turp,
e mora… sepse barku s’më mbushej me fjalë,
por shpirti – ai u ngop me neveri.
Ikim…
jo nga vendi, por nga përbuzja,
nga ndjenja se jemi veç numra, veç vegla,
në një sistem që na shet e na përdor,
pastaj na hedh si pleh në harresë.
Nënë, më fal, që s’të lash dot një fjalë të mirë,
se këtu ku mbretëron bandë e mashtrim,
dhe buka ka çmim, por jeta jo më vlerë,
veç ikja mbetet rruga më e ndershme që dimë.
