Bushkolaj: Task – Forca, shëtitje me ‘tren bullgar’ nga KQZ në selitë diplomatike
I ftuar ne emisionin e mëngjesit KAFE SHQETO në Syri tv ka qenë gazetari Elkier Bushkolaj. Ne bisedë me moderatorin Flavio Qarri ai ka komentuar zgjedhjet e 11 majit dhe qëndrimet e SPAK për hetimin e krimeve zgjedhore.
Elkier Bushkolaj: SPAK nuk ndërmori asnjë masë. Pra ishin indiciet. Absolutisht zero parandalim. Përveç retorikës së liderit të opozitës që i përmendi me emra në raste konkrete. Indiciet ishin. Dhe normalisht mjafton që të ndjeksh votën për të kuptuar se ku është krimi, se nuk po themi që të ndjekësh paranë se nuk e ndjek dot. Meqë është krim intelektual, kulla betoni, është pak e vështirë çështja e parasë. Por me ndjekjen e votës ti mund të kuptosh. Thirret personi që ka një numër rekord votash, i zbërthehet telefoni, kuptohet ku janë lidhjet e tij për të kuptuar. Se nuk është se ne na erdhën surprizë emrat e caktuar me një numër rekord votash dhe normalisht kjo do të ndikojë në përbërjen e parlamentit. Unë dëgjova një gazetar që u shpreh, qoftë larg në qofte se i ndodh gjë Edi Ramës, pra na mbetet integrimi peng. Unë them diçka tjetër. Qoftë larg, mos e dhëntë zoti mos të na i ndodhë gjë Ramës, kush do jetë kryeministër, sepse unë nuk besoj që ndonjë deputet sot, pjesë e mazhorancës, ka fuqinë e tij elektorale apo fuqinë monetare sa ndonjë deputet që është aty i diktuar nga bandat kriminale.
Që nga momenti që ne normalizojmë këtë bisedë dhe e quajmë normale atë që ndodh aty në parlament, ateherë këtu mund të presësh gjithçka. Tani nuk është rastësi që një autokrat sikurse është Presidenti i Venezuelës, shkon edhe përmend grupet shqiptare për ndërhyrje në zgjedhje në Venezuelë. Nuk përmendi as grupet serbe, as grupet maqedonase, as italiane që janë të vjetra atje. Do të thotë se është një farë faktori sado minor. Dhe kur ky faktor ka shkuar dhe ka ndikuar deri në një vend autokratik si Venezuela ku mundësia për ndryshim rezultati është krejt, minore pavarësisht përpjekjes së opozitës atje. Po këtu a nuk është faktor. Po këtu, si ka mundësi SPAK –u, nuk parandaloj gjë në këtë drejtim. Task Forca, që bënte shëtitje me “Tren Bullgar” nga KQZ në selitë diplomatike.
