Pas 12 vitesh qeverisje, Rama “kujtohet” para zgjedhjeve: 200 euro pensioni minimal
Një ditë më parë, Edi Rama u tha shqiptarëve se nuk ka program sepse ai i fiton zgjedhjet.
Para disa ditësh u tha se nuk ka nevojë për program sepse programi i tij është integrimi në BE.
Kurse sot Rama u shfaq para shqiptarëve, duke vazhduar të kopjojë programin e opozitës. Pas premtimit për pagën mesatare 500 euro, tani ishte premtimi për pensionet dhe pagën mesatare.
Si mos mjaftonin 12 vite qeverisje, Rama kujtohet para zgjedhjeve për të moshuarit duke premtuar se gjatë mandatit të katërt do ta çojë pensionin minimal në 200 euro.
“Në janar 2026, paga minimale do të jetë 500 euro. Pensioni mesatar 400 euro për të gjithë ata që kanë paguar sigurime të plota, ndërkohë pensioni minimal për të gjithë të tjerët 200 euro”, tha Rama.
