Besnik Mustafaj merr çmim kombëtar letrar, “Fati i marrë”
Botimet më të mira të vitit 2023, janë vlerësuar me çmime nga Qendra Kombëtare e Librit e leximit, në një ceremoni që bashkoi shkrimtarë, botues e përkthyes.
Një Shqipëri e çliruar herët nga Perandoria Osmane, e imagjinuar si qendër institucionesh ndërkombëtare dhe një nga shtetet themeluese të BE-së, një nga demokracitë më të fuqishme në një roman politik. “Fati i marrë” i Besnik Mustafajt, është shpallur romani më i mirë i vitit 2023 nga Qendra Kombëtare e Librit.
Në një vend që përballet me sfida të mëdha të leximit dhe një sërë problematikash me librin, që prej taksave e deri te shpërndarja, nga bibliotekat e varfra te buxhetet e ulëta, nga mungesa e politikave te mungesa e koherencës, çmimet vijnë si kremtim i shqipes dhe lëvrim e pasurim i saj.
