Dosja e Çyrbjas/ Vangjush Dako thirret sërish në SPAK
Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako është thirrur sërish në Prokurorinë e Posaçme vetëm disa ditë pas dënimit të tij.
Mësohet se Dako këtë herë është thirrur në SPAK për dosjen hetimore të Prokurorisë ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja i cili është arrestuar dhe akuzohet për blerje votash dhe lidhje me krimin.
Dako pritet të shoqërohet në SPAK nga strukturat e policisë se Durrësit duke qene se ndodhet nen masën e sigurisë arrest në shtëpi.
Nga zbërthimi i bisedave në SKY ECC, u zbulua se në favor të votave për t’u zgjedhur si deputet në qarkun Durrës në zgjedhjet e 2021, Çyrbja, informonte bosë të krimit për operacionet policore me qëllim që ata të mos arrestoheshin. Ndërkohë që Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekici, i cili u ekzekutua në 2021 dhe Altin Hajri, i shumëkërkuar për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës kanë ndikuar sipas SPAK pranë zyrtarëve socialistë që emri i Çyrbjas të ishte në listë të sigurt për deputet.
Dako do të japë shpjegime se kush e propozoi dhe renditi të 5-tin në listë, Çyrbjan.
