Aktualitet

Prokuroria e Posaçme jep pretencën, sa vite burg kërkon për ish-Prefektin e Kukësit, Granit Gjanën

KAON

Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën duke kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për Granit Gjanën. Ish-prefekti i Kukësit për shkak të gjykimit të shkurtuar do të përfitojë ulje të masës së dënimit në vit.

Ndërkohë, SPAK ka kërkuar konvertimin e dënimit me burg në 2 vite shërbim prove, gjë që do të thotë se Gjana nuk do të vuajë dënimin në burg për sa kohë që respekton kushtet e provës për këtë periudhë.

Në seancën e ardhshme gjyqësore, gjykata pritet të shpallë vendimin përfundimtar për Gjanën.

Ndaj Gjanës rëndon akuza për veprën penale “shkelja e barazisë në tendera”, gjatë kohës që mbante detyrën e kryebashkiakut në detyrë të Bashkisë së Kukësit, pas pezullimit nga detyra të Safet Gjicit.

Sipas SPAK, Granit Gjana e ka konsumuar në dy raste atë vepër penale. Më herët, ai është pezulluar nga GJKKO, nga detyra që mbante si prefekt i Qarkut të Kukësit

Një nga tenderat ka të bëjë më një kallëzim me 22 Maj nga Florian Cengu. Ky i fundit është administrator i shoqërisë që humbi tenderët me vlerë 21 milionë lekë, pasi Bashkia Kukës nuk i dha dokumentet. Sipas SPAK, Gjana e ka penguar garuesin “Ufo Cengu” sh.p.k, në mënyrë të padrejtë, duke mos lëshuar dokumentin bashkiak, mungesa e të cilit solli skualfikimin nga dy procedurat e tenderit të karburanti.

TENDERI

Granit Gjanës i kanë mjaftuar vetëm 3 muaj në pozicionin e kryebashkiakut të Kukësit, si i komanduar, për të kryer shkelje të barazisë në tendera, në një procedurë prokurimi për blerje karburant me fond 21 milionë lekë të reja.

Të paktën, ky është dyshimi i ngritur nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), e cila ka marrë miratimin e gjykatës për pezullimin nga detyra të Gjanës, tashmë në detyrën e prefektit të qarkut Kukës.

Sipas SPAK-ut, “…ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023”.

“Boldnews.al” kreu verifikimet dhe identifikoi procedurën e shpallur nga Bashkia e Kukës, në 25 Maj të vitit 2023, me firmën e Granit Gjatës, në atë kohë zv.kryetar i njësisë vendore.

Në foto: Shpallja e tenderit për blerje karburanti nga Bashkia Kukës
Rezultatet e tenderit u shpallën në Agjencisë e Prokurimit Publik në 3 Korrik, në kohën që Gjana ishte komanduar si kryetar në detyrë i Bashkisë së Kukësit, pas arrestimit të titullarit Safet Gjici, nën dyshimet për “korrupsion pasiv” në formën e favoreve seksuale.

Sipas dokumentave zyrtare, në tenderin për blerje karburanti morën pjesë operatorët ekonomikë “Kastrati” dhe “Ufo Cengu”.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit, Bashkia e Kukësit, e drejtuar përkohësisht në atë kohë nga Granit Gjana, vendosi skualifikimin e shoqërisë “Ufo Cengu”, duke shpallur fitues kompaninë “Kastrati”.

Në foto: Rezultatet e tenderit

“Ufo Cengu” nuk ishte aspak dakord me këtë vendim dhe e ankimon atë në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP).

Në 3 Gusht 2023, KPP pranon ankesën e “Ufo Cengu” shpk, vendos të anulojë tenderin dhe urdhëron Bashkinë e Kukësit të rihapë procedurën nga e para.

Në vendimin nr. 721/2023 të Komisionit të Prokurimit Publik thuhet, ndër të tjera se: “KPP konstaton, se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave nuk i ka vënë në pozita të barabarta ofertuesit, pasi nuk ka pasqyruar në SPE normat përkatëse të fitimit të ofertuara prej tyre, në kundërshtim me nenin të ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, i cili përcakton qartë se nga ana e autoritetit kontraktor nuk mund të lejohet ndryshim në përmbajtjen e ofertës, përfshirë ndryshimet në çmim”.

Në foto: KPP anuloi tenderin

Pas këtij rezultati, çështja referohet pranë Prokurorisë së Posaçme, për veprën penale të “Shkeljes së barazisë në tendera”. Ndërkohë që SPAK po kryente hetimet, kryeministri Edi Rama e emëronte Granit Gjanën në pozicionin e Prefektit të Qarkut Kukës. Pikërisht, nga ky pozicion Gjana u pezullua nga Gjykata e Posaçme e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me një vendim të miratuar në 5 Dhjetor 2023.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?