Këshilltarët e Bashës bashkohen me PD-në zyrtare
Dy këshilltarë bashkiak të Shkodrës, që përfaqësonin grupimin e Lulzim Bashës, të dalë nga zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, i janë bashkuar PD zyrtare, të drejtuar nga Sali Berisha.
Imeldi Sokoli dhe Gloria Shllaku kanë theksuar në qëndrimet e tyre se ky hapi i ndërmarrë vjen si mesazh bashkimi në prag të zgjedhjeve të 2025, prandaj kanë ftuar që nën këtë frymë të veprojnë të gjithë demokratët. Duhet të jemi të bashkuar kunder kesaj qeverie, ishte mesazhi i tyre.
Me këtë lëvizje, grupi i Lulzim Bashës mbetet në këshillin bashkiak të Shkodres me vetëm 3 këshilltarë, duke humbur të drejtën për të qenë grupim, ndërsa PD e Berishës shkon në 15 këshilltarë.

Nga ana tjetër, Gloria Shllaku shprehet se opozita duhet të unifikohet në mënyrë që rezultati zgjedhor të jetë i duhuri.
“Por sot, më shumë se kurrë, ndiej një shqetësim të thellë: Pse Partia Demokratike është në një udhëkryq? Çfarë po e pengon që të jetë alternativa e fortë dhe shpresëdhënëse për shqiptarët? Përgjigjja është e thjeshtë: mungesa e unitetit dhe interesat personale na kanë larguar nga idealet e përbashkëta që dikur na bashkonin. Ne nuk duhet të harrojmë që dikur ishim një forcë e fuqishme, një familje që luftonte për të ardhmen e vendit. Sot, është koha të rifitojmë atë shpirt, të rilindim dhe të ndërtojmë së bashku një Shqipëri ku çdo qytetar ndjen shpresë për nesër. Për ata që ndihen të zhgënjyer, për ata që kanë humbur besimin në politikë, për ata që nuk votojnë më: unë ju them se angazhimi i secilit prej nesh është çelësi. Ne nuk mund të lejojmë që pesimizmi të na mbysë; të mos harrojmë se e ardhmja është në duart tona. Vetëm me pjesëmarrjen e te gjitheve ne se bashku mund të ndryshojmë realitetin. Unë, si nje ish kryetare e një grupseksioni të rëndësishëm dhe si Këshilltare Bashkiake e Shkodrës, kam marrë besimin e qytetarëve dhe gjithmonë kam punuar për të përmbushur nevojat e komunitetit. Që nga sot e tutje, çdo iniciativë do të jetë e përbashkët, duke filluar me Këshillin Bashkiak të Shkodrës dhe duke vazhduar në nivele të tjera. Kështu, do të formojmë një zë të fuqishëm për ju dhe për një Shqipëri që meriton shumë më tepër”, shkruan ajo.
