Botërori 2026, Shqipëria dhe Kosova njihen me vazot e shortit
Ndeshjet e Ligës së Kombeve gjatë këtyre muajve kanë shërbyer edhe si një “rrugëtim” indirekt drejt Botërorit 2026. Rezultatet kanë qenë me peshë për renditjen e FIFA-s, e cila do të jetë ajo që përcakton ndarjen në vazo të skuadrave në shortin që do të hidhet me 13 dhjetor në Zyrih.
Formati i ri i kualifikueseve, bën që tashmë skuadrat të ndahen në 12 vazo, nga të cilat do të përzgjidhen emrat e ekipeve që përbëjnë 12 grupet që do të jenë me 4 apo me 5 skuadra. Dhe në bazë të rezultateve të deritanishme, Shqipëria dhe Kosova e dinë që tani të sigurt se në cilën vazo do të jenë në short. Kjo, pasi në çdo rezultat të mundshëm në ndeshjet e nëntorit, nuk do të kenë mundësi të ngjiten në një vazo më lart, apo të bien më poshtë.
Ndërkohë, Kosova është e vendosur në vazon e katërt, ku thuajse janë përcaktuar të gjitha skuadrat, me përjashtim të Bullgarisë që ka ende shanse për t’u ngjitur një vazo më lart
Shorti i dhjetorit për Shqipërinë dhe Kosovën do të ndikohet edhe nga fakti nëse në Ligën e Kombeve do të jenë në play-off apo play-out. Formati paracakton që skuadrat e përfshira në mars në miniturnetë e UEFA-s do të kenë prioritet për të qenë pjesë në grupet me 4 ekipe në kualifikueset e Botërorit 2026.

