Tjetër atentat ndaj ish-presidentit/ Arrestohet një person i armatosur që tentoi të hynte në ambientin ku Trump do mbante fjalim
Një burrë që ishte i armatosur dhe u përpoq të hynte në një ambient ku do të fliste ish-presidenti Donald Trump u arrestua sot në Kaliforni. Arrestimi u bë dje të shtunën në Coachella, por u njoftua një ditë më pas. Sherifi lokal tha në një deklaratë se mund të jetë ndaluar një tjetër atentat. Burri, shkruan New York Post, quhet Vem Miller dhe besohet të jetë anëtar i një organizate anti-qeveritare të ekstremit të djathtë. Ai u diplomua në UCLA dhe në vitin 2022 ishte kandidat për Shtëpinë e shtetit të Nevadës.
Sipas informacioneve të para, ai kishte mbi vete një armë, një revole dhe një karikator, si dhe karta identiteti false për gazetarët dhe për zonën e spektatorëve VIP. Burri u pa nga policia lokale (jo siguria e Trump) në një pikë kontrolli rreth 1 kilometër nga vendi i fjalimit.

Shërbimi Sekret dha një deklaratë të shkurtër duke thënë se ishte në dijeni të arrestimit. “Incidenti nuk ndikoi në operacionet mbrojtëse. Shërbimi Sekret shpreh mirënjohjen e tij për deputetët dhe partnerët lokalë që ndihmuan në mbrojtjen e ngjarjeve të natës së kaluar”, tha agjencia.
Dy atentate të tjera janë kryer më herët ndaj ish-presidentit. Në shtator, 58-vjeçari Ryan Wesley Routh u akuzua për tentativë për të vrarë Trump ndërsa ish-presidenti luante golf. Agjentët e Shërbimit Sekret të SHBA-së gjetën Routh me një pushkë me fuqi të lartë më 15 shtator jashtë Klubit Ndërkombëtar të Golfit Trump në Palm Beach. Agjentët pikasën tytën e armës së tij në shkurre dhe qëlluan drejt tij përpara se të ikte. Më 13 korrik 2024, në një tubim pranë Butler, Pensilvani, Matthew Crooks qëlloi mbi Trump me një pushkë të stilit AR-15 nga një çati aty pranë, ndërsa Trump mbante një fjalim fushate. Plumbi i qëlluar nga Crooks, preku veshin e Trump. Si pasojë humbi jetën një pjesëmarrës në tubim, ndërsa u plagosën rëndë dy të tjerë përpara se Crooks të vritej nga agjentët e kundër-snajperëve të Shërbimit Sekret.
Sherifi thotë se Coachella, vendi ku mbahej mitingu, kishte dy perimetra sigurie, një perimetër të jashtëm dhe një perimetër të brendshëm.
I dyshuari iu afrua perimetrit të jashtëm, “i dha të gjitha indikacionet se ai lejohej të ishte atje, ai u lejua përmes atij perimetri të jashtëm, pasi arriti në atë perimetrin e brendshëm “shumë parregullsi u shfaqën”, thotë sherifi.
Brenda automjetit ishte “mjaft rrëmujë dhe kishte një targë false, gjë që nxiti hetime të mëtejshme”, thotë ai.
Hetuesit gjetën pasaporta të shumta me emra të shumtë, patenta të shumta shoferi, thotë sherifi, duke shtuar se targa ishte e pa regjistruar.
Sherif Bianco shton më pas se i dyshuari mundi të kalonte në perimetrin e dytë sepse “ai pretendonte se ishte gazetar dhe pretendonte se kishte statusin VIP në ngjarje”.
I dyshuari Vem Miller u tha autoriteteve se ai ishte një anëtar i grupit të ekstremit të djathtë të quajtur Qytetarët Sovran, thotë sherifi Bianco, i cli doli para mediave pasi autoritetet parandaluan atë që mund të quhet si tentativa e tretë për të vrarë kandidatin republikan për President, Donald Trump.
Ai thotë se targa ishte gjithashtu “tregues i një grupi individësh që pretendojnë se janë Qytetarë Sovranë”, por nuk ka arritur në përfundimin se Miller ishte anëtar.
“Unë nuk do të thosha se është një grup militant. Është thjesht një grup që nuk beson në kontrollin e qeverisë,” thotë ai. “Ata nuk besojnë se qeveria dhe ligjet zbatohen për ta.”
