Përmbytja e Vlorës, Dredha: Uji është ende prezent në qytet!
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ka zbuluar në një komunikim të drejtpërdrejtë për mediat se mëngjesin e sotëm në lagjet e qytetit bregdetar ka ende prezencë të ujit.
Ai zbuloi se ditën e djeshme ka pasur një prurje të pazakontë prej 180 milimetrash në 2 orë e gjysmë, prurje e cila zakonisht regjistrohet në një periudhë rreth 30-ditore sipas tij.
Dredha apeloi drejt qytetarëve që të tregojnë durim në këto momente pasi në Vlorë ka disa pika të prekura rëndë nga përmbytjet.
“Ka prezencë uji në disa lagje të qytetit. Ka pasur një prurje prej 180 mm për 2 orë e gjysmë, prurje e cila mund të ndodhë për një muaj. Qytetarët duhet të jenë pak të duruar, sepse kemi disa pika të prekura rëndë. Hapi tjetër është evidentimi i gjithë dëmeve të shkaktuara në terren që më pas të aktivizohet edhe fondi i emergjencave për të ndihmuar banorët”, tregoi ai për News24.
