SPRINT NEWS ALBANIA

AktualitetPolitike

Bardhi: Në Shqipëri është asgjësuar institucioni i Presidentit të Republikës

Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e disa dispozitave në Ligjin për Komisionin Hetimor.

Ai u shpreh se dispozitat ishin kundërshtuar nga opozita që në fillim, ndërsa shtoi se në Shqipëri është asgjësuar institucioni i Presidentit të Republikës.

“Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë, duke gjetur në anti-kushtetutshmëri dyshen Rama-Begaj”, shkruan Bardhi.

Reagimi:

Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e të gjitha dispozitave të kundërshtuara që në nisje nga ana jonë dhe të propozuara nga një deputete njëpërdorimshe në Ligjin për Komisionin Hetimor, nuk përbën asnjë surprizë sepse antikushtetutshmëria ishte ulëritëse. Mazhoranca socialiste e ka bërë tashmë rregull shkeljen e Kushtetutës dhe tentativën për ti mbyllur çdo hapësirë opozitës.

Është fakt që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike paralajmëroi se dispozitat e shtuara në Ligjin për Komisionet Hetimore synonin të asgjesonin të drejtën kushtetuese të opozitës për kontroll parlamentar, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, pikërisht në periudhën kur opozita po protestonte për mohimin e kësaj të drejte.

Gjykata Kushtetuese, konstatoi:
1. Njëzëri, papajtueshmërinë me Kushtetutën të nenit 4 të ligjit nr. 106/2023, që lidhet me nismën për krijimin e komisionit hetimor.

2. Me shumicë votash, papajtueshmërinë me Kushtetutën të përmbajtjes së nenit 7 të ligjit nr. 106/2023, që parashikon vendimin e ndërmjetëm për marrjen e provave.

3. Me shumicë votash, papajtueshmërinë me Kushtetutën të nenit 9 të ligjit nr. 106/2023, që lidhen, përkatësisht, me marrjen e lejes nga prokuroria dhe gjykata për pyetjen e dëshmitarëve, si dhe me të drejtën e dëshmitarit për tërefuzuar të dëshmojë.

4. Me shumicë votash, interpretimin pajtues të nenit 6, pika 3, shkronjat “c” dhe “d”, të ligjit nr. 106/2023, në lidhje me marrjen e provave pa pjesëmarrjen e publikut, pasi konstatoi se kjo dispozitë jep disa rezultate në varësi të metodave të interpretimit, ndaj Gjykata përzgjodhi atë rezultat që është i pajtueshëm me normat kushtetuese.

Ky vendim i djeshëm i Gjykatës Kushtetutese na provoi edhe atë që prej kohësh kemi thënë me zë të lartë: Në Shqipëri është asgjesuar institucioni i Presidentit të Republikës. Në kulmin e një krize parlamentare, Presidenti i Republikës u ftua të luante rolin e tij kushtetutës, të mos shpallte një ligj antikushtetutes dhe antidemokratik, që synonte të asgjesonte opozitën, duke i dhënë kështu shansin palëve politike të gjenin një zgjidhje për krizën parlamentare dhe jo të thellonin këtë krizë me veprime antikushtetuese të mazhorancës. Por Presidenti i Republikës Bajram Begaj, në vend që ti qëndronte besnik betimit për të respektuar Kushtetutën, zgjodhi ti qëndronte besnik betimit për të shërbyer si një ushtar i Edi Ramës. Fatmirësishëm, edhe në këtë rast, keqpërdorimi i Presidentit të Republikës, ishte i përkohshëm dhe pa asnjë vlerë. Gjykata Kushtetutese na dha të drejtë, duke gjetur në antikushtetutshmëri dyshen Rama-Begaj.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?