SPRINT NEWS ALBANIA

Aktualitet

Kryebashkiaku i komanduar i Himarës Arqile Bollano përfitoi rreth 14 mijë m2 tokë

Prokuroria e Vlorës ka transferuar në SPAK një dosje për përfitime abuzive të sipërfaqeve tokë-bujqësore në Himarë nga familje të ndryshme, ku mes përfituesve rezulton edhe kryetari aktual i komanduar i kësaj bashkie, Arqile Bollano.

Skandali/ Kryebashkiaku i komanduar i Himarës Arqile Bollano përfitoi

Përfitimi i rreth 14 mijë m2 tokë në Himarë në vitin 2015 nga familja e kryetarit aktual të Bashkisë së Himarës, Arqile Bollano, të komanduar në këtë pozicion tre javë më parë, është duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Dosja është trasnferuar për kompetencë në SPAK nga Prokuroria e Vlorës rreth një muaj e gjysmë më parë, pas hetimit të një sërë procedurash për dhënien e tokës familjeve bujqësore nga Bashkia Himarë, që dyshohet se janë abuzive.

BIRN mësoi se, gjatë procedurave të ndërmarra në vitin 2015 nga Bashkia e Himarës, për plotësimin me tokë bujqësore të familjeve që kishin marrë sipërfaqe të mangëta gjatë ndarjes së tokës në vitin 1992 sipas ligjit 7501, ka pasur përfitime të pamerituara nga disa familje, mes tyre dhe ajo e kryebashkiakut aktual, Arqile Bollano.

Me vendim të këshillit bashkiak, pasi shqyrtoheshin kërkesat e familjeve që pretendonin se u ishte ndarë më pak tokë nga sa u takonte, merrej vendim për plotësimin e deficiteve. Mes përfituesve ka qenë dhe familja e Arqile Bollanos, që mësohet të ketë përfituar 14 mijë m2 tokë që, sipas përllogaritjeve, nuk i takonte.

Në vitin 2015, Bashkia e Himarës drejtohej nga socialisti Jorgo Goro, i cili u ndalua në mars të këtij viti me urdhër të SPAK, pasi dyshohet se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, kanë mundësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë, në favor të privatëve, pasuri që u morën nga një shoqëri e zotëruar nga Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili ka fituar statusin e investitorit strategjik.

Goro i cili garoi për një mandat të katërt nën siglën e Partisë Socialiste për Bashkinë e Himarës në maj të vitit të kaluar, vijoi ta ushtronte detyrën megjithëse fitues u shpall rivali i tij, Alfred Beleri. Ky i fundit nuk arriti të kryente betimin pasi u arrestua dy ditë para zgjedhjeve për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, vepër penale për të cilën u deklarua fajtor dhe u dënua me 2 vjet, masë që mori formë të prerë në Apel më datë 25 qershor.

Pas ndalimit të Goros, Këshilli i Bashkisë Himarë komandoi në detyrën e kryetares Blerina Balën, e cila u dorëhoq në fillim të qershorit. Më 7 qershor ajo u zëvendësua nga Arqile Bollano, edhe ky si i komanduar./BIRN

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?