SPRINT NEWS ALBANIA

Aktualitet

Masë sigurie për Veliajn? Reagon SPAK-u: Nuk ka asgjë!

SPAK ka reaguar lidhur me publikimin e një lajmi mbrëmjen e djeshme se janë bërë disa arrestime dhe masa sigurie në bashkinë e Tiranës në kuadër të hetimeve për aferën e inceneratorit.

Gjatë një reagimi për mediat, Prokuroria e Posaçme sqaron se nuk ka ndodhur ndonjë operacion gjatë natës së djeshme, por shton se “nëse aksioni i radhës ndodh ditët në vijim, do të informohet publiku”.

Njoftimi nga SPAK: “Më lejoni t’ju informoj lidhur me lajmet e publikuara dje në disa nga mediat: SPAK po vijon një sërë hetimesh për të luftuar korrupsionin dhe mbrojtjen e publikut. Nuk ka pasur asnjë operacion brenda natës dhe ju kërkojmë me mirësjellje të shmangin spekulimet që mund të dëmtojnë punën tonë. Në momentin që do të kemi njoftime për të ndarë me median padyshim do të viheni në dijeni

“Roli” i Veliajt tek Inceneratori i Tiranës:

Kryebashkiaku Erion Veliaj është deri më sot ka qenë jashtë listës së personave të vendosur nën masë sigurie në procedimin penal të inceneratorit të Tiranës. Megjithatë, Veliaj ka një rol kryesor në nisjen e procedurave që u shndërruan në një aferë që llogaritet ti ketë shkaktuar buxhetit një dëm rreth 100 mln Euro.

Në 27 Mars 2017, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shprehet “dakord në parim” për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës nëpërmjet procedurës koncesionare. Ky është momenti kur merr jetë një prej aferave më të rënda financiare në historinë e shtetit shqiptar.

Veliaj, pa marrë më parë mendimin e Këshillit Bashkiak, merr përsipër në dorë të parë që të aprovojë, megjithëse “parimisht”, një projekt që do t’u kushtojë taksave të qytetarëve të Tiranës rreth 430 milionë euro për 30 vjet.

Nuk është thjesht shmangie e Këshillit Bashkiak. Projekti për ndërtimin e landfillit të Tiranës parashikonte kosto financiare për të gjitha bashkitë e Qarkut të Tiranës, ku përfshiheshin krahas kryeqytetit, edhe Vora, Kamza, Kavaja e Rrogozhina.

Askush nuk pyeti këto njësi të qeverisjes vendore. Qeveria u mjaftua me “dakordësinë në parim” të Veliajt, për t’i dhënë rrugë koncesionit të Sharrës.

Afera e inceneratorit të Sharrës nuk është një “vjedhje e rëndomtë” e dy biznesmenëve që shfaqen si pronarë të koncesioneve, Mirel Mërtiri e Klodian Zoto. Afera e djegësve është një skandal qeveritar dhe, në rastin e impiantit të Tiranës, ekzistojnë të gjithë dyshimet se është i përfshirë “kokë e këmbë” edhe Erion Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës jo vetëm që ka dhënë ‘dakordësinë në parim” për inceneratorin e Tiranës, por edhe e ka promovuar me vizitat e tij në kantier. E, mbi të gjitha, nuk ka kursyer rreth 100 milionë euro për një shërbim pjesor që ofrohet nga koncesionari ‘Integrated Energy bv”.

Aktualisht, mbi Erion Veliajn, SPAK ka nisur dhe një hetim pasuror për të, ku verifikohen pasuritë dhe përfitimet e familjarëve të tij.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?