Punimet për Unazën e Madhe, “Fresku” 1 javë pa ujë. Banorët: Do të bllokojmë rrugën
Nga Boldnews.al
Në këtë vapë përvëluese, mijëra banorë të zonës së “Freskut” në Tiranë po përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Prej mëse një jave, në rubinetat e tyre nuk del asnjë pikë ujë.
Shkaktari i kësaj situate të pazakontë është dëmtimi i rëndë i rrjetit të ujësjellësit të zonës nga ndërtimi i Lotit 2 të Unazës së Madhe.

Banorët e zonës thonë se dëgjojnë çdo ditë në media deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëses së tij, Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, për “ecurinë e shkëlqyer të punimeve në Unazën e Madhe të kryeqytetit”.
Por ata mjaftojnë që të hedhin vështrimin nga dritarja dhe e kuptojnë butaforinë e propagandës së shfrenuar qeveritare.
Në pamjet e siguruara nga “Boldnews.al” dallohet lehtësisht se punimet e kompanive që fituan tenderin 16 milionë euro, “G.P.G Company & Senka”, kanë shkaktuar dëme të mëdha në rrjetin e tubacionit.

Madje, për shkak të dëmtimeve të shumëfishta, janë bashkuar ujërat e zeza me ujin e pijshëm, duke detyruar ndërmarrjen e Ujësjellësit që të ndërpresë furnizimin e famijeve të Freskut, me qëllim për të shmangur përhapjen e sëmundjeve të rrezikshme.
Në një gropë shumë pranë banesave është krijuar një lloj “liqeni”, më saktë një pellg i madh, i mbushur me ujë nga kanalet e ujërave të zeza. Në këto ditë me temperatura shumë të larta, ajo zonë aty mund të përshkruhet si një “bombë ekologjike”.

Qytetarët e Freskut deklarojnë për “Boldnews.al” se janë ankuar pranë Bashkisë së Tiranës, por janë përcjellë me cinizëm: “Bëni kërkesë me shkrim për shqetësimin që keni”.
Këtë fundjavë, disa punonjës të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës janë paraqitur në zonë, por sërish nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje për problemin.
Banorët, të irrituar me këtë papërgjegjshmëri institucionale, shprehen se do të ndërmarrin veprime të tjera, më së pari duke bllokuar rrugën kryesore, me qëllim që të tërheqin vemendjen e Bashkisë së Tiranës dhe të institucioneve të tjera përgjegjëse për situatën e krijuar.
