SPRINT NEWS ALBANIA

AktualitetPolitike

Taksa për profesionet e lira në GJK/ Tabaku: Betejë kundër sistemit korruptiv

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, një ditë pas seancës në Gjykatën Kushtetuese për Profesionet e Lira, ka postuar në rrjetet sociale një video mesazh drejtuar shqiptarëve mbi rëndësinë e betejës së nisur nga grupi parlamentar PD. Sipas saj kjo betejë nuk bëhet thjesht për profesionet e lira që janë 30 mijë të tillë, por kundër një sistemi të korruptuar taksimi që favorizon një pakicë ndërsa diskriminon një shumicë që paguan taksat e larta edhe për pakicën.

Tabaku shprehet se një qeveri socialiste që ka ndryshuar 23 herë ligjin e taksave nuk mund të jetë një qeveri që promovon dhe mbështet punën, pasi sipas saj ndryshimet janë kryer për favore të qarta klienteliste, taksa të cilat e kanë dëmtuar shtresën e mesme.

Tabaku shprehet se vendosja e kësaj takse është diskriminuese dhe jo proporcionale duke rrezikuar sigurinë juridike, lirinë ekonomike dhe barazinë përpara ligjit.

Tabaku thotë se beteja e Grupit Parlamentar të PD është për punën dhe shtresën e mesme që paguan barrën e rëndë.

Video mesazhi i plotë:

Beteja për Profesionet e Lira është një betejë e drejtë! Është një betejë për të mbrojtur punën, për të mbrojtur ata që me ndershmëri paguajnë taksat. Në 10 vitet e fundit qeveria socialiste ka ndryshuar pothuajse 23 herë ligjin e taksave duke vendosur taksa jo të drejta, jo propocionale, taksa të cilat e kanë dëmtuar shtresën e mesme dhe kanë qenë një ngarkesë për ato që me ndershmëri e paguajnë taksën. Ndërkohë që nga ana tjetër ka lejuar abuzimin, informalitetin dhe ka lejuar ngritjen e një sistemi korruptiv, i cili sot rezulton në pothuajse 11.000 biznese të mbyllura vetëm vitin e fundit. 169 Profesionet e Lira, me pothuajse 30.000 profesionistë, janë duke u përballur me këtë taksë anti-kushtetuese dhe të padrejtë. Një taksë e cila i diskriminon ato, i takson ato më shumë se çdo kategori tjetër 30-50%. Kjo është beteja që po bëjmë në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike: Për të mbrojtur punën, për t’i dhënë vlerë punës, për të mbrojtur shtresën e mesme!

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?