AktualitetPolitike

Malltezi: SPAK synon që ish-kryeministri të humbë mandatin dhe të godasë opozitën në vit elektoral

KAON

Vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi, në një konferencë për mediat, ka komentuar masën e sigurisë arrest shtëpie të dhënë nga SPAK për ish-kryeministrin.

Malltezi thekson se SPAK me anë të masës së sigurisë për Berishën, synon që ish-kryeministri ta humbasë mandatin e deputetit dhe që opozita të goditet edhe më tej në një vit elektoral.

“SPAK me masën ndaj Sali Berishës synon humbjen e mandatit të Berishës dhe goditjen e opozitës në vit elektoral. Sa herë Edi Rama lëshonte urdhra për SPAK, Struktura e Posaçme bënte gati masat e sigurisë. Rama dhe Balla janë të parët që kanë shkelur ligjin.

SPAK as nuk e mendon t’i marrë nën hetim këta persona, edhe pse kemi bërë denoncim për Taulant Ballën për kallëzim të rremë dhe për Edi Ramën për shpërdorim detyre, sepse ka dëmtuar financat publike. Gjithçka tregon se SPAK vepron me urdhër të Edi Ramës”, deklaroi Malltezi.

Malltezi denoncoi një tjetër skandal, kur tha se hetimi për Berishën dhe Jamarbër Malltezin nuk ka zgjatur 6 muaj, por 4 vite.

Ajo tha se qëllimi i SPAK dhe Edi Ramës është goditja e opozitës në vit elektoral.

“Ky vendim është marrë me arrogancë dhe pa asnjë argumentim. Janë 4 vjet hetime dhe jo 6 muaj.

Sepse që në fillim këto hetime kanë qenë të targetuara te Berisha dhe Malltezi, duke mos i vënë në statusin e personit në hetim, për të mos u njohur të drejtat procedurale që u njeh ligji personave nën hetim.

Por këto dokumente që datojnë që nga vitit 2021, dhe të tilla ka plot, tregojnë se ka një hetim pasuror të kapilarizuar dhe shtrihet që nga viti 1994.

Për rrjedhojë hetimi nuk ka 6 muaj, por ka 4 vjet që ka nisur.

Gjatë këtyre 4 viteve, sa herë Edi Rama lëshonte urdhra politikë për SPAK, SPAK intensifikonte lëshimin e akteve hetimore siç tregohet nga dokumentet.

Të vetmit persona që në dosje janë provuar se kanë kryer vepër penale, janë Taulant Balla dhe Edi Rama.

I pari që ka konsumuar veprën penale të kallëzimit të rremë, dhe i dyti shpërdorim detyre, siç është provuar me vendim gjykate, e cila ka përcaktuar edhe dënimin financiar që ka ardhur te financat publike si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të Edi Ramës.

Sigurisht që SPAK nuk e mendon t’i marrë nën hetim këto persona, ndonëse ne kemi bërë një kallëzim për Ballën për kallëzim të rremë,” tha Argita Malltezi.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?