Shqyrtohet sot mandati i Olta Xhaçkës
Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet mblidhet sot për të shqyrtuar çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës.
Ky hap vjen pasi Kushtetuesja vendosi pranimin e kërkesës së 14 deputetëve demokratë.
Me këtë vendim të gjykatës, Kuvendi detyrohet që ta çojë për verifikim në gjykatë mandatin e deputetes Xhaçka. Do të jetë pikërisht Kushtetuesja që do të vendosë mbi vlefshmërinë.
Opozita iu drejtua Gjykatës Kushtetuese dhe në janar 2023, kjo gjykatë rrëzoi si antikushtetues një vendim të Kuvendit për të mos e dërguar çështjen Xhaçka në Kushtetuese – por zbatimi i këtij vendimi po zvarritet prej më shumë se një viti.
Procedura parlamentare për zbatimin e këtij vendimi ka ngecur prej muajsh në zyrën e Nikollës, por ajo e ka justifikuar mosveprimin e saj me arsye të ndryshme, që nga axhenda e ngjeshur deri tek mungesa e normalitetit në Kuvend.
Kryeparlamentarja nuk ka sqaruaar se pse ajo nuk e ka thirrur deri më sot mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ndërkohë që raporti të cilit i referohet i është dorëzuar që në muajin korrik.
Ligjërisht, Këshilli i Mandateve kryesohet nga Kryetari i Kuvendit dhe shqyrton rastet e pazgjedhshmërisë, sipas nenit 69 të Kushtetutës, si dhe bën verifikimin e mandatit të deputetit.
