SPRINT NEWS ALBANIA

AktualitetPolitike

Berisha: Martirët e 2 Prillit ranë për t’u bërë të pavdekshëm

Në nderim të 4 martirëve që u vranë më 2 prill të vitit 1991 në Shkodër në masakrën e fundit të komunizmit në Shqipëri, sot në këtë qytet u zhvillua ceremonia e vendosjes së kurorave. Në ceremoni dha një mesazh edhe nga kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha.

Berisha : Mirëdita dhe përshëndetje të përzemërta. Së pari, duhet të përshëndes dhe të përulem me mirënjohje para familjarëve të martirëve të 2 prillit, të pranishëm në këtë ceremoni. Të përshëndes demokratet dhe demokratët e Shkodrës, qytetaret dhe qytetarët e këtij qyteti dhe mbarë shqiptarët.

Ne sot nderojmë veprën e pavdekshme të martirëve të votës së lirë, bijve të Shkodrës, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmir Kryeziu dhe Besmir Ceka që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në një protestë kundër grabitjes së votës nga diktatori i fundit komunist, Ramiz Alia dhe klika e tij.

Protestuesit paqësorë rrethuan atë ditë, më 2 prill të vitit 1991, ndërtesën e partisë së krimit, të bindur se ajo ishte projektuesja, organizatorja dhe ekzekutuesja e aktit të vjedhjes së votës dhe zgjedhjeve.

Por, protestës së tyre paqësore, diktatori Ramiz Alia dhe falangat e tij në Shkodër, iu përgjigjën me breshëri, nga të cilat ranë për t’u bërë të pavdekshëm 4 martirët e 2 prillit dhe u plagosën 87 qytetarë të tjerë në rrugët dhe sheshet e qytetit.

Të dashur miq, Artan Broci, Bujar Bishanaku, Nazmir Kryeziu dhe Besmir Ceka ranë në lule të rinisë së tyre, por sakrifica e tyre u shndërrua në dritë, në rrugën e shqiptarëve për zgjedhje të lira.

Masakra e regjimit komunist në Shkodër jehoi si një barbari në të katër anët e planetit. Parlamenti Europian, Kongresi i SHBA, qeveritë e vendeve mike, panë te ajo masakër fytyrën e vërtetë të regjimit që pretendonte se po pranonte pluralizmin.

Të dashur miq, sot Edi Rama ka në duart e tij të zeza pushtet të paktën 10 përqind më shumë se ç’kishte Ramiz Alia në vitin 1991.

Ai sot kontrollon të gjitha pushtetet.

Edi Rama nuk ka një polici sekrete siç kishte Ramiz Alia, por ka një aleancë të tmerrshme me krimin e organizuar në Shkodër dhe mbarë vendin, me të cilën tmerron qytetarët e lirë dhe i kontrollon ata.

Edi Rama, njësoj si Ramiz Alia, bën përpjekje të mëdha për të zhdukur opozitën.

Edi Rama është sot përfaqësues i një regjimi që ka boshatisur Shqipërinë më shumë se çdo regjim tjetër në tërë historinë e saj.

Që ka boshatisur Shkodrën më shumë se çdo regjim tjetër në tërë hsitorinë e saj.

Ndaj dhe kjo ditë e sakrificës sublime, e martirizimit të Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmir Kryeziut dhe Besmir Cekës, është ditë kushtrimi, është ditë thirrje për çdo demokrate dhe demokrat, për të garantuar votën e lirë të shqiptarëve.

Për të rrëzuar këtë regjim dhe të ecur drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike.

Edhe njëherë, nderim përjetë veprës, sakrificës së pavdekshme të martirëve të 2 prillit. Nderimin më të madh familjeve të tyre, Shkodrës, Rozafës së lirisë së shqiptarëve.”

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?