Aktualitet

Inceneratori i Tiranës/ BKH kontroll në banesën e Ben Blushit

KAON

Afera korruptive e inceneratorit të Tiranës, i cili nuk ekziston, ndërkohë janë zhdukur rreth 120 millionë euro që duhej të ishin investuar në “objektin e padukshëm”, po hetohet nga SPAK. 

Prokuroria Speciale ka vendosur në sekuestro preventive inceneratorin, ka arrestuar Taulant Tushen, një prej drejtorëve të rëndësishëm të Erion Veliajt, si dhe ka deklaruar se po vijon hetimet. Megjithatë deri më tani SPAK është marrë me “peshqit” e vegjël, duke lënë jashtë pronarët e vërtetë Rama-Veliaj.

Së fundmi, SPAK është kujtuar që përmes agjentëve të BKH-së, të kërkojë gjurmë se ku kanë shkuar paratë.  Dhe në këtë kuadër, nga burime konfindenciale mësohet se pikërisht agjentët e BKH-së, në ditët e fundit kanë ushtruar kontrolle në banesën e Ben Blushit.

Mësohet se kontrolli në banesën e Blushit ka lidhje me kompaninë Em-Capital, e krijuar nga Eva Blushi, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto në Bullgari.

Sipas raportimeve, agjentët e BKH-së kanë kërkuar pikërisht dokumentet lidhur me kompaninë Em-Capital, e cila duket se ka shërbyer pikërisht për qarkullimin e parave që merreshin nga inceneratorët, për tu investuar më pas në të tjera kompani.

Situata në rastin e bashkëshortes së Ben Blushit, Eva Blushit, bëhet edhe më e  ndërlikuar, pasi si notere publike, nuk ka pasur të drejtën e ushtrimit të aktiviteteve të tjera, pasi ligji e ndalon.

Pavarësisht dokumenteve të publikuara në media që provojnë lidhjet, mësohet se agjentët e BKH-së ndoshta kanë synuar të gjejnë të tjera dokumente origjinale, apo të papublikuara, për të zbuluar një tjetër labirinth, që lidhet pikërisht me miliona euro, që merreshin për inceneratorin, por kurrë nuk u investuan aty.

Nga burime jo zyrtare mësohet se agjentët e BKH-së kanë sekuestruar një seri dokumentesh, në kuadrin e hetimit, por edhe pajisje kompjuterike dhe aparate telefonike, një procedurë kjo që pothuajse ndodh me çdo çështje që hetohet nga SPAK.

Interesant është fakti se përfshirjen e Blushëve në atë që konsiderohet si mafia e inceneratorëve, e ka denoncuar lideri i opozitës Sali Berisha në 2020 dhe më pas anëtari i Kryesisë së PD-së, Jamarbër Malltezi, qoftë në 2022 ashtu edhe në 2023.

Por gjatë kësaj periudhe, SPAK duket se nuk ka gjetur kohën, qoftë edhe për të verifikuar, ndërsa mbetet për tu parë se çfarë mund të kenë gjetur agjentët e BKH gjatë kontrollit në banesën e Blushit, sa interesante mund të jenë për hetimin dhe a do të mund të hedhin më shumë dritë mbi paratë që janë qarkulluar përmes “Em-Capital”.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?