AktualitetPolitike

Sot mblidhet Këshilli Kombëtar i PD, të hënën protestë

Të hënën demokratët e drejtuar nga Sali Berisha do t’u rikthehen protestave para Parlamentit. Në orën 16:30, anëtarët e PD-së do të mblidhen para godinës së seancave plenare për të protestuar kundër mazhorancës socialiste, e cila sipas tyre, po shkel të drejtat kushtetuese të opozitës.

Protesta do të mbahet para Kuvendit. Përjashtimi i deputetëve të opozitës, mosngritja e komisioneve hetimore parlamentare, mosndryshimi i përbërjes së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore janë disa prej arsyeve që opozita do të protestojë. Ndërkaq, brenda në sallën e seancave plenare do të protestojnë deputetët e opozitës, të cilët do të tentojnë sërish të bllokojnë punimet e Kuvendit.

Mbledhja e së hënës u dedikohet vetëm diskutimeve për problemet e qytetarëve dhe nuk janë parashikuar ligje për t’u miratuar dhe në situatën kur demokratët do të bllokojnë foltoren, mbledhja pritet të zgjasë vetëm pak minuta. Megjithatë, në kampin opozitar deputetët që do të protestojnë janë më të pakët në numër, pasi 19 ligjvënës të PD-së janë përjashtuar nga mazhoranca socialiste për 10 ditë e ata nuk mund të marrin pjesë as në seancën e 5 shkurtit dhe as në seancën e datës 8.

Burime pranë PD-së bëjnë me dije se pas protestës para Parlamentit, demokratët do të shkojnë në rrugën pranë shtëpisë se ish-kryeministrit Sali Berisha, ku si çdo ditë në orën 18:00 zhvillohet tubimi në mbështetje të liderit të opozitës. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, zbuloi sesi do të vijojë aksioni i opozitës. Noka zbuloi se protesta do të përfshijë bllokim dhe paralizim të institucioneve.

“Protestë të hënën në orën 16:30, para Parlamentit. Në kuadër të aksionit tonë opozitar dhe mosbindjes civile, para një Parlamenti që nuk është më i shqiptarëve, por i krimit, inceneratorëve, siç rezultoi edhe nga intervista e Ahmetajt. Ende nuk dihen detajet, nesër Këshilli Kombëtar mblidhet në orën 5 dhe një nga pikat e diskutimit do të jetë protesta. Nesër do të ketë agjendë opozita, bllokime, paralizim të institucioneve të këtij shteti, jo vetëm nesër, por në vazhdimësi. Ky vend nuk mund të funksionojë pa demokraci, ne nuk do reshtim”, – tha Noka.

Po dje deputeti Luan Baçi paralajmëroi protesta dhe ngujim në kuadër të aksionit të tyre opozitar.

“Duan të largojnë deputetët e PD nga Parlamenti. Qëndresa jonë do të vazhdojë duke përfshirë të gjitha format dhe mjetet e protestave. Qoftë edhe ngujimi, qoftë edhe bllokimi dhe çdo lloj proteste do jetë në fokusin tonë. Do të jetë kryesia dhe Këshilli Kombëtar që do të vendosin mbi veprimet që do të merren më tej në mbledhjen që do zhvillohet të shtunën”, – tha Baçi.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

PANELE DIELLORE-Solares Albania