Aktualitet

Berisha: Rama-Bolino, ose janë pronarë të godinës, ose kanë falsifikuar bilancet e deklaruara

Berisha: Mashtrimi publik Rama-Bolino me dokumentarin ERTV për të mbuluar rrëmbimin e 4900 metër katrorë tokë me katër VKM të personalizuara që të gjitha me kompaninë e Bolinos.
Në këtë dokumentar të mashtrimit publik, Rama dhe Bolino kanë konsumuar jo një, por disa vepra penale të rënda.
Dhe njëherë, kërkoj njerëzisht arsyetimin e qytetarëve.

Imagjinoni, Sali Berisha me ligjet që ka miratuar, ka rikthyer prona dhe objekte të konfiskuara nga regjimi komunist, mbi 320mijë qytetarëve shqiptarë në një total prej 1 miliard e 577 milionë e 400 mijë metër katrorë, nga të cilat 408 metër i përkasin me të gjithë dokumentat, Jamarbër Malltezit.
Kurse Edi Rama me Karlo Bolinon kanë rrëmbyer me 4 vendime të personalizuara, pra katër vendime, që të gjitha kushtuar kompanisë së Karlo Bolinos, 4900 metër tokë, vakëf i dhënë për sevap nga familjet pronare, për fëmijët e asaj zone që nuk kishin gjimnaz, për rreth 60 mijë banorë.
Nga kjo tokë, Rama dhe Bolino, vetëm nga familja Begeja kanë marrë 3 herë më shumë tokë se sa ka marrë pasardhësi i Begejëve, Jamarbër Malltezi.
Këtë le t’i gjykojnë qytetarët, unë jam këtu për t’i bërë gjyqin Edi Ramës, i cili pasi ka konsumuar një seri veprash penale me 4 vendime të personalizuara, prodhon me Bolinon një dokumentar fund e krye, trillime dhe mashtrime.
Rama dhe Bolino në dokumentarin e tyre, shprehen se ‘Shqipëria 1 euro’ është një nismë e qeverisë Berisha për të stimuluar investimet e huaja në vend, procedurat shtjellohen në VKM 54 të qeverisë Rama të vitit 2014, pra 5 vite përpara se Report TV të përfitojë.
Dua të sqaroj këtu se nisma ‘Shqipëria 1 euro’ është nismë e qeverisë së PD, por është e vërtetë se ajo nuk e kishte imagjinuar si nismë për ndërtimin e televizioneve proqeveritare dhe për korruptimin e medieve. Ajo ishte ndërmarrë si një nismë që do nxiste investimet e huaja veçanërisht në zonat e varfra të vendit.

Por është Edi Rama ai që shton në VKM-në e tij, përdorimin e kësaj nisme për ndërtim televizionesh.
Ajo çka mund të them se ndryshimi i VKM-së që përfitoi edhe për investime në televizione, është bërë nga qeveria e Ramës, pas miratimit fillestar të VKM 54 dhe është bërë në vitin 2015. Kemi sqaruar edhe ndryshimin e fundit të bërë, që i jepet e drejta për privatizim.
Pra, me këtë ndryshim, Rama jo vetëm jep televizioneve, por në pikën 8, fraksion 4, VKM 54 të vitit 2014, thuhet: Në kontratat e qirasë apo emfeteozës, të lidhura për pasuri ku sipërfaqja e truallit është mbi 500 metër katrorë, në rastet kur shoqëria qiramarrëse ka kryer investime në masën 150 përqind të vlerës së truallit dhe ka respektuar kushtet e kontratës, subjekteve u lind e drejta e privatizimit të drejtpërdrejtë të objektit të kontratës sipas legjislacionit në fuqi.
Pra, ky vendim vjen në shkelje flagrante të ligjit të kthimit dhe kompensimit të pronave, të cilat stipulojnë në pikën dy të nenit 31, se çdo tjetërsim i pronës shtetërore apo publike qoftë ajo, kalon automatikisht te i shpronësuari.

Pas këtyre ndryshimeve në VKM, Rama-Bolino kanë hyrë në marrëdhënie kontrate me shtetin, me qeverinë.
Në dokumentarin e tyre të mashtrimit publik, ata thonë se ndryshe nga sa shpif Berisha, Report TV nuk është bërë pronare e asgjëje, mbajeni mend këtë, por ka nënshkruar vetëm një kontratë qiraje në këmbim të qirasë simbolike 1 euro, ligji dhe qeveria e detyrojnë të punësojnë një numër të konsiderueshëm punonjësish dhe të realizojnë një investim të kushtueshëm, pjesa më e madhe e të cilit mbetet pronë e shtetit.
Ky është një mashtrim tjetër i dyshes Rama-Bolino, pasi në bilancet e kompanisë MTSC SHPK, për vitet 20-22 është pasqyruar vlera 265 milionë lekë si aktive afatgjata në proces në bilancin e vitit 2022.

Çfarë janë këto? Është ndërtimi, i cili nuk ishte absolutisht në pronësi, ishte pronësi e shtetit. Vetë Bolino e pohon se nuk kishte asgjë në pronësi, veç aparaturave të televizionit.
Pra, çfarë ka raportuar tjetër? Ky është bilanc tjetër, i vitit 2019. Janë raportime në tatime këto. Po të mos i konsideronte të vetat, ka zë të veçantë, por jo me aktivet afatgjata materiale. 45 milionë sepse kaq ka qenë në atë kohë investimi në ndërtesë. Më vonë, investimi ka arritur në 265 milionë.
Pra, sipas standardeve kombëtare të kontabilitetit, në zërin aktiv regjistrohen: Njësia ekonomike njeh koston e një zëri të AAM-ve vetëm si një aktiv, nëse dhe vetëm nëse aktivi kontrollohet nga njësia ekonomike, është e mundur që nga përdorimi i aktivit, do të hyjnë në njësinë ekonomike përfitime ekonomike dhe kostoja e aktivit mund të matet me besueshmëri.

Regjistrimi fillestar i AAM-së bëhet zakonisht në momentin e përfitimit të tij nga blerja apo prodhimi.
Përfundimisht, nëse Rama-Bolino e kanë të qartë se nuk janë pronarë të godinës, i bie që ata kanë falsifikuar bilancet e deklaruara në administratën tatimore dhe kanë kryer një vepër të rëndë penale. Për tre vite me radhë ky falsifikim dhe kjo është e dënueshme ligjërisht.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

PANELE DIELLORE-Solares Albania