AktualitetEkonomi

Qendra e grave të dhunuara lë foshnjat pa ushqim/ “S’ka qumësht, jepini ujë me sheqer”

Emisioni Fiks Fare solli një skandal me një qendër ku strehohen gratë e dhunuara, të cilat kanë një urdhër mbrojtje dhe shteti i dërgon aty.

Qendra e njohur nuk ka ushqim për fëmijët edhe pse aty strehohen nëna me foshnje. Kushtet e vështira në qendër kanë detyruar shumë gra të dhunuara të largohen nga aty. Madje dhe vetë punonjëset me shumë lehtësi u tregojnë derën, kujdo që ankohet apo kërkon diçka.

Dy gra të dhunuara të strehuara në këtë qendër kanë treguar kalvarin e vuajtjeve aty, ku thonë se fëmijët e tyre nuk flejnë gjithë natën nga të pangrënët. E dhunuara e parë, e cila prej 5 muajsh është në atë qendër, tregon se kur ajo ka shkuar ka gjetur 10 gra, por nga kushtet e këqija u larguan. Duke uruar të mos jenë kthyer tek dhunuesit!

Emisioni investigativ solli me zë dhe figurë bisedat e grave të dhunuara, njëkohësisht nënat e dy fëmijëve 9 dhe 20 muajsh me punonjëset e qendrës. Këto të fundit ju thonë grave që fëmijët t’i ushqejnë me uji dhe sheqer.

Në bisedën e nënës me punonjësen, kjo e fundit e revoltuar i thotë disa herë gruas së dhunuar “po të pëlqeu mirë, po s’të pëlqeu këto janë kushtet”, ndërkohë nuk harron t’i thotë që mos e lërë fëmijën me barkun bosh, por t’i japi ujë me sheqer.

Nëna e njërit prej fëmijëve tregon se djali i saj 9 muajsh ka 4 ditë pa ngrënë, ndërkohë punonjësja i thotë skuqi pak miellë me ujë. Justifikimi i punonjëses për mungesën e lëngjeve të frutave është se ato kanë shumë sheqer. ‘Nuk sjellim lëngje frutash se kanë shumë sheqer, jepuni ujë me sheqer fëmijëve, edhe kur s’keni qumësht mos jua lini barkun bosh, ujë me sheqer jepuni”- thotë punonjësja.

Punonjëset janë shumë të prera me gratë e dhunuara, nëse duan të rrinë le të rrinë, përndryshe u tregojnë derën.

Gazetarëve të Fiksit punonjësja sociale, Marinela Muçobega, u tregon se kjo ka ardhur nga mosmenaxhim i mirë nga punonjëset. Ajo shprehet e keqardhur për situatën e krijuar, “por që sot do gjejmë donatorë për qumësht dhe ushqime për fëmijët”, ndërkohë punonjësja thotë që kjo gjë ka ndodhur vetëm njëherë. “Aq i kemi mundësitë” shprehet punonjësja duke pranuar kështu mungesën e ushqimit në qendër.

Qendra është private dhe funksionon me donatorë.

Top Channel
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

PANELE DIELLORE-Solares Albania