Shtohet numri i të rinjve me kancer në mushkëri, mjekët: 80% e shkaqeve duhanpirja
“Numri i rasteve është i barabartë me kancerin e gjirit, është një problem madhor për popullatën, zë vendin e parë sa i përket humbjes së jetëve. Nuk është një kancer ekskluziv i meshkujve”, thotë Arben Tanka mjek pneumolog në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Faktorët që çojnë në kancer të mushkerive janë disa, por duhanpirja zë vendin e parë.
“Duhanpirja është shkaktari kryesor që bën dhe 80% të shkaqeve që shfaqin kancer mushkërie. Ka dhe faktor të tjerë siç është prezenca e gazit radon në shtëpi dhe ndotësit atmosferik me përbërje të asbesitit dhe hidrokarburet si dhe gjenetika. Ka statistika që thonë se një mungesë duhanpirjeje e redukton kancerin me 90% të rasteve”, shprehet mjeku Tanka.
Shqipëria ka shifrat me të larta të kancerit të mushkërive në raport me rajonin, po ashtu edhe sa i takon fataliteteve, ndaj mjekët apelojnë për kontrolle periodike dhe lënie të duhanit.
