SPRINT NEWS ALBANIA

AktualitetPolitike

Rama mbron propozimin që KFOR të marrë nën kontroll veriun

Kryeministri Edi Rama u ka qëndruar deklaratave të mëparshme se veriu i Kosovës duhet të merret nën kontrollin e KFOR. Qëndrimin e kritikuar gjegjësisht ai e përsëriti edhe në seancën plenare të kësaj të enjteje, ku Kosova ishte lajtmotiv i diskutimit.

“Kufiri me Serbinë është katandisur në një rrjetë të çarë kudo, ky hyjnë armatime, drogë, ndërkohë që forcat ekzistuese të kufirit janë të pamjaftueshme. Unë këtu flas për përgjegjësinë absolute që KFOR do të marrë për ta vënë në kontroll veriun. Gjë që forcat e Kosovës nuk e bëjnë dot. Këtë e thonë vetë udhëheqësit e lartë të Kosovës. KFOR e ka shprehur sa herë ka kërcitje, pakënaqësinë për nivelin e bashkëpunimit me shtetin e Kosovës, sepse është e qartë nuk ka forca të mjaftueshme për të kontrolluar situatën e rënduar dhe pastaj justifikohet se nuk kemi bashkëpunim. Kam thënë gjënë e duhur për interesin e Shqipërisë dhe të Kosovës”, tha Rama.

Propozimi i Ramës është kudnërshtuar më herët nga opozita. Kryedmeokrati Sali Berisha e ka quajtur një deklaratë që i shkon për shtat Beogradit zyrtar dhe e ka akuzuar kreun e qeverisë se i shërben Presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Kundër propozimit të Ramës është shprehur dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti. “Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. E për sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është vendosur. Kudo në Kosovë, e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet ndryshuar”, është shprehur më herët Kurti gjatë një interviste mediatike.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Shqipëria është “faktori më aktiv i paqes dhe stabilitetit rajonal”, ndërsa lëshoi sërish kritika ndaj qeverisë Kurti. Sipas tij, pozicioni diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe SHBA-së është vetëdobësuar dhe se Prishtina zyrtare ka bërë gabime duke dëmtuar veten në favor të Beogradit.

Ndërkohë, rezolutën e parashikuar të votohet në seancën e sotme parlamentare e kërkuar nga opozita për të dënuar sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës, e cilësoi “propagandë kundër qeverisë” së tij.

Lidhur me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, tha se e ka takuar dhe do vijojë ta takojë “sepse kështu i shërbej interesit të Kosovës dhe Shqipërisë”.

Rama i qëndroi dhe deklaratës së bërë më herët se “veriu i Kosovës është tokë e askujt”. “Unë e kategorizoj veriun e Kosovës me shprehjen angleze ‘non man’s land’. Pse nuk qenka kur aty lulëzojnë aktivitete kriminale? Kur nuk ka asnjë kontrol dhe asnjë mundësi të parashikosh se cfarë vjen nesër. Çfarë ishte Lazarati, no man’s land”, tha ai.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?