SPRINT NEWS ALBANIA

Aktualitet

SPAK nis hetimet për pasurinë e Saimir Tahirit

Kur Arben Ahmetaj u shpall në kërkim nga SPAK, socialistët dhe bashkëpunëtorët e dy ministrave të Rilindjes bënin shpesh krahasim mes tyre sa i përket akuzave. Ajo që thuhej e pranohej gjerësisht ishte se vërtet Saimir Tahiri bëri burg, por pasuria e tij nuk iu prek asnjëherë.

Ndonëse prapa hekurave për një farë kohe, biznese të deklaruara e të padeklaruara të tij dhe enturazhit të ish-Ministrit të Brendshëm që kanabizoi Shqipërinë me bekimin e Edi Ramës, vijonin të punonin e rriteshin qetësisht. Ndërkohë për Arben Ahmetajn në shënjestër të SPAK është vënë edhe pasuria e tij. Zyrtarisht ndaj tij rëndojnë 3 akuza; mosdeklarimi i pasurisë, korrupsioni pasiv i zyrtarëve të lartë dhe pastrimi i produkteve të veprës penale.

Por hetimit pasuror duket se nuk po i shpëton dot as Saimir Tahiri, i cili prej 4 mujsh la qelitë e burgut për ta kryer në shtëpi pjesën e mbetur të dënimit pas një vendimi të diskutueshëm të Gjykatës së Elbasanit. Një burim pranë SPAK i tha Lapsi.al se ndaj ish-Ministrit të Brendshëm ka nisur një verifikim pasuror.

Organi i akuzës së Prokurorisë së Posaçme po mbledh informacione brenda dhe jashtë vendit për të gjurmuar pasurinë e Saimir Tahirit e për të parë nëse ka fshehje apo elementë të pastrimit të produkteve të veprës penale. Duket sikur një goditje e tillë e pritshme ndaj Tahirit u paralajmërua ditën kur ai la burgun dhe kur nga selia diplomatike e Rrugës së Elbasanit nuk vonuan reagimet. Ja çfarë shkroi atëherë ish-ambasadorja Yuri Kim.

“Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirantëve të BE-së dhe ato duhet të refuzohen me vendosmëri. SHBA e konsideron korrupsionin si një kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare. Ata që merren me dhënien ose pranimin e kërcënimeve dhe nxitjeve – për shembull, për të ndihmuar miqtë e fuqishëm – duhet të kuptojnë se veprimet e tyre do të kenë pasoja”, shkroi Yuri Kim. Në të njëjtën gjatësi vale ishte edhe reagimi i Ambasadës së SHBA.

“Po e ndjekim me shqetësim lirimin e Saimir Tahirit dhe kërkojmë dokumentet e procesit”, thuhej në reagimin e selisë diplomatike, e cila kishte përfaqësuesit e saj në çdo seancë të gjyqit të Saimir Tahirit.

Dihet që SHBA ka një ndikim të madh ne SPAK, aq sa përmes fuqisë diplomatike ndihmoi gjithashtu në zgjedhjen e Altin Dumanit në krye. Afërmendsh që edhe ky hetim i ri ndaj Saimir Tahirit mund të jetë ndërmarrë nën influencën e tyre të mundshme. Kur u duk sikur hesapet me drejtësinë e re u mbyllën njëherë e mirë me lirimin nga burgu, për Saimir Tahirin pikërisht këtu ka nisur një telash tjetër me SPAK.

Vendimi i formës së prerë për dënimin me 3 vite e 4 muaj për “shpërdorim detyre” ndaj Tahirit u dha më 4 shkurt 2022. Ndërkohë 1 vit e 4 muaj më pas ish-Ministri i Brendshëm u lirua nga burgu pas dy eksperitzave mjeko-ligjore që arsyetonin përse ai nuk mund të qëndronte më pas hekurave për pjesën e mbetur të dënimit. Në njërën prej ekspertizës thuhej se Tahiri kishte probleme shëndetësore.

Në tjetrën shpjegohej se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk kishte kush të kujdesej për fëmijët. Siç mëson Lapsi.al edhe ekipi i tij mbrojtës e pati këshilluar Tahirin ta kryente dënimin deri në fund.

Mbase duke qenë edhe ata në dijeni të presionit amerikan, kishin parandjerë se dalja e parakohshme nga burgu nuk do të pritej mirë nga ndërkombëtarët e posaçërisht amerikanët, si investitori kryesor i reformës në drejtësi. Mbetet tani për t’u parë se si do t’i orientojë SPAK hetimet për pasurinë e Saimir Tahirit. A do të kemi një proces të dytë në Gjykatën e Posaçme ndaj ish-Ministrit të Brendshëm?

Marrë nga Lapsi.al

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?