Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se në takimin e 14 shkurtit në Bruksel “doli e vërteta”. Ai tregoi një pjesë të bisedës, që siç thotë ai, e ka bërë të kuptojë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak ishin koordinuar.
Kurti tha se ndërsa kishte kërkuar ta shihte propozimin e Serbisë për zbatimin e marrëveshjes, Lajçak kishte ndërhyrë.
“Në një moment, gjatë bisedimeve, kur unë i them ‘cili është propozimi i palës serbe’ dhe i them Vuçiçit, i them Lajçakut, Borrell i thotë po ashtu Vuçiçit ‘cili është propozimi juaj’. Dhe mandej Lajçak thotë ‘jo jo e kanë dhënë më herët këta’. Nuk kishte propozim”, tha Kurti.
Kryeministri foli për “asimetri drastike” në qasjen e BE-së në dialog, duke thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe u kërkua para gjithçkaje tjetër.
“Pala tjetër s’kishte bërë propozime kurrë”, tha ai.
“Shtrohet pyetja pse ne s’e kemi marrë vesh më herët këtë gjë”, tha Kurti, duke shtuar se kishin pritur që Lajçak “është duke e gjetur një kompromis mes këtyre dy propozimeve”.
“Sa më konstruktiv dhe kreativ unë, aq më nervozë dhe të padrejtë ata”, tha ndër tjerash Kurti, në një konferencë për media.