Katastrofë në Libi/ Diga në Derna u shemb dhe mori me vete lagje të tëra duke i përfunduar në det.
Gjendja ende e paqartë, por duket se Libia është përfshirë nga një katastrofë e rëndë e përmbytjes me mijëra të mbytur nga vërshimet e ujërave. Diga në Derna u shemb dhe mori me vete lagje të tëra…

Libia ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare pas katastrofës së përmbytjes me një numër të lartë viktimash. Kreu i qeverisë rajonale lindore, Usama Hamad tha për një televizion të hënën, se nga vërshimet e ujërave kanë humbur jetën të paktën 2000 vetë. Mijëra të tjerë ende konsiderohen të humbur.

Ahmed Mismari, zëdhënës i Ushtrisë Kombëtare të Libisë tha se katastrofa ndodhi pas shembjes së digave mbrojtëse përmbi qytetin Derna. Shumë lagje të qytetit bashkë më banorët e tyre u morën me vete nga ujërat e përfunduan në det.

Mismari pret më shumë se 6000 të mbytur. Këshilli Presidencial Libian ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare dhe i deklaroi tre rajone në provincën Cyrenaica si rajone katastrofash. OKB në Libi deklaroi, se do të dërgojë ndihma për të mbështetur aksionet e shpëtimit në nivel lokal dhe kombëtar.

Stuhia “Daniel” kishte përmbytur të hënën qytete si Bengazi, Suse, al Bayda, al-Mardsh dhe Derna. Në qytetin Derna sipas dëshmitarëve ujërat arritën nivelin e tre metrave.

