Togat e zeza të Sarandës kanë lënë në burg Albi Mëcinin, 29 vjeçarin e dyshuar si autor të zhdukjes së Leonard Theodhorit (Koçole) dhe Fatmir Krasniqi, alias Fatmir Sulovari. Këta shtetas janë rrëmbyer dhe zhdukur pa gjurmë prej muajit prill 2023, shkruan newsbomb.al.
Bashkëpunëtor në këtë ngjarje me Mëcinin, sipas Policisë, është dhe shtetasi Sebastial Lataj.
Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari ishin duke darkuar bashkë në Sarandë më 9 prill dhe dyshohet se janë vrarë dhe groposur në një tokë në fshatin Vrinë. Atje zbarkuan për disa ditë njësitë elitë të Policisë Shqiptare, por nuk pati asnjë rezultat.
Albi Mëcini ishte shpallur në kërkim nga autoritetet policore prej muajsh, por lëvizte i pashqetësuar dhe tre ditë më parë, u ndalua nga Policia e Fierit teksa përgatiste një atentat me 21 kg tritol, shkruan newsbomb.al.
Kjo e sotmja është masa e dytë e sigurisë “Arrest me burg” për Albi Mëcinin, pasi dje edhe Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për këtë shtetas, për sasinë atentatin që ishte përgatitur me tritol.
“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës, në funksion të një procedimi penal të iniciuar nga DVP Vlorë, për zhdukjen e shtetasve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari, zhdukje e raportuar në Policinë e Sarandës, më datë 09.04.2023, rezultoi se shtetasi i arrestuar në flagrance, me çantat me lëndë plasëse, është autor i dyshuar për këtë rast, së bashku me shtetasin Sebastian Lataj, 25 vjeç, i cili u shpall në kërkim.
Për shtetasit Albi Mëcini dhe Sebastian Lataj ditën e sotme, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” .
Strukturat hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe strukturat hetimore të dvp-ve Fier dhe Vlorë, në drejtimin e prokurorive përkatëse, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të të dyja rasteve, kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këto 2 raste”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shtetit.