“Në dallgët e detit frymën tonë do të gjej”-Poezi nga Angela Kosta

Poezi

PËRTEJ GJITHËSISË

 

Në heshtje do të të dashuroj

duke e ditur se ku do të më gjesh.

Do të jem përtej të vetmit yll,

dëshmitar i çmendurisë sonë.

 

Do të më gjesh përtej hënës

mysafirija jonë e preferuar,

tejet e dëshiruar.

Do të jem përtej resë

djep i lumturisë sime të shkurtër.

Do të jem përtej diellit

që ndoshta një ditë do të ma shkrijë ankthin.

 

Do të ndalem për një kohë të gjatë të rijetoj

Gjithësinë e përtejshme

ku era do të më shpjerë pëshpëritjet e tua.

 

Do të shikoj rrjedhën e ujit

dhe do të lagem nga buzët e tua.

Do të të gjej duke e ditur se do të jesh aty.

Dhe unë?

Në pëllëmbën e shpirtit tënd do të mbetem.

..pa lëvizur nga frika se mos bëhem memece

apo zhdukem me erën.

 

Në dallgët e detit frymën tonë do të gjej

buzëqeshjen tënde në buzët e mia

vështrimin tënd në lotët e mi

rrahjet e tua në zemrën time

gishtat e tu në flokët e mi

sytë e tu tek të mitë…

 

Në përjetësi!

Total 1 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?