Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet në Slloveni për shkak të konferencës së Forumit Strategjik të Bled. Ai ka publikuar disa foto në rrjetet sociale, mirëpo fotoja që tërhoqi më shumë vëmendje është ajo me homologun e tij të Kosovës, Albin Kurti.
Në foto shihet Rama, i cili i jep dorën Kurtit. Të dy shihen të buzëqeshur pranë njeri-tjetrit, ndërsa në sfond qëndron një tjetër shqiptar, Dritan Abazoviç.
“Lubjanë, Slloveni – Në darkën e mikëpritjes së Kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, e me kolegët e rajonit në vigjilje të Forumit Strategjik të Bledit nesër”- shkruan Rama.
Rama dhe Kurti duket se kanë lënë pas mosmarrëveshjet mes tyre, pas ftohjes që patën për shkak të anulimit të mbledhjes mes dy qeverive. Në atë kohë kryeministri njoftoi se shkak u bë refuzimi i Albin Kurtiti për të mbajtur një takim më të ngushtë për të diskutuar situatën në veri.
Në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bled, që zhvillohet nesër, të pranishëm në Lubjanë janë edhe presidenti i KE-së Charles Michel, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës Borjana Kristo, si dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon.