AnalizeShkrime

A ka një kryengritje në PS për krizën morale në qeveri?

Nga Roland Qafoku

Në shtator Partia Socialiste hyn në vitin e 11-të të qeverisjes si asnjë forcë tjetër politike në Shqipëri në këto 33 vjet. Por, qeverisja e kësaj force rekordmene është futur në një hulli që është pak të thuash që po vuan nga një krizë e thellë. Me ministrat Saimir Tahiri të dënuar dhe Lefter Koka të arrestuar, me zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj në kërkim, me ministrat Ilir Beqja, Shkëlqim Cani, Damian Gjiknuri nën hetim, me zëvendësministrin e arrestuar Klodian Rrjepaj, me deputetin Alqi Bllako të arrestuar, me kryebashkiakun e dënuar Fatos Tushe dhe kryebashkiakët e arrestuar Vangjush Dako dhe Safet Gjici, me një dyzinë oficerë policie të arrestuar si të lidhur me organizatat kriminale, mes tyre deri edhe drejtorin e Forcës Operacionale, qeverisja dhe pushteti i të majtëve ka rënë në kuota të ulëta morali.


Vërtetë opozita e ka kthyer në kal beteje këtë që po ndodh, por në gjendjen e shpartalluar që ajo ndodhet, nuk ka pothuajse fare ndikim në këtë situatë. Pyetja e madhe është: Po në Partinë Socialistë a diskutohet kjo situatë? A ka në këtë parti zëra që të kërkojnë llogari për këtë skuadrilje personazhesh me superpushtet që aktualisht ndodhet në duart e drejtësisë? A ka deputetë, anëtarë të kryesisë që kërkojnë analiza dhe llogari përse PS ndodhet në një gjendje të tillë që edhe përse fiton bindshëm garat elektorale me kundërshtarët politikë ajo ka humbur betejën me SPAK? A është diskutuar ndonjëherë në PS dhe a i është kërkuar ndonjëherë llogari për këtë situatë direkt kryeministrit përse ai zgjodhi pikërisht këta persona për bashkëpunëtorë të afërt? Afërmendsh, përgjigjja e kësaj pyetje është negative. Në mos, ai që e lexon mund të pyesë: A je në rregull nga mendja? Deri më sot, në PS nuk ka asnjë zë kundër. Askush nuk flet. Askush nuk shpreh atë që mendon dhe të duket sikur në këtë parti është e ndaluar të mendosh. Dhe nuk ka shans që Edi Ramës dikush t’i kërkojë llogari.

 

Ngjan si një vegim i largët në PS-në e drejtuar nga Fatos Nano kur çdokush në këtë parti diskutonte i lirë dhe për çdo gjë votohej po lirë dhe kjo transmetohej live në televizion. Aq sa sot modeli numër një i demokracisë në partitë shqiptare mbetet ai kur më 9 tetor 1999 kryeministri në detyrë i asaj kohe Pandeli Majko humbi me 36 vota diferencë ndaj Fatos Nanos në garën për kryetar të PS në kongres. Pas 24 vjetësh, Majko i cilësuar ndër ata që janë “the last mohicans” në PS, shpesh ndjen dhimbje dhëmballe dhe kjo i heq mundësinë e të folurit. Ndërkaq, deputeti dhe ish-zëvendëskryeministri Erjon Braçe, duke patur me vete kartën e moralit, është i vetmi që bënë opozitë brenda mazhorancës, veçse shpesh e ka të kufizuar këtë oponencë vetëm brenda problemeve të fushës së Myzeqesë dhe në disa çështje parimore që deri diku opinion nuk i kupton qartë se për kë e ka fjalën. E kemi dëgjuar dhe më parë Braçen t’i drejtohet disa ministreshave me peshë qeveritare, por pa peshë politike, por ama nuk e kemi dëgjuar ndonjëherë t’i drejtohet kryeministrit dhe kryetarit të partisë.

Çudia dhe habia vjen së fundi nga persona që në dukje nuk janë të rëndësishëm dhe me pushtet politik, por që në publik ndaj tyre ka një opinion të mirë edhe për faktin se janë të ndershëm dhe janë socialistë me rrënjë. Klodeta Dibra, profesore në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës dhe dikur dekane në atë fakultet, më parë anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe e angazhuar në strukturat e Partisë Socialiste, më 22 gusht ka shpërthyer me zemërimin e saj teksa ka publikuar një status në profilin e saj në facebook pak ditë pas arrestimeve nga SPAK për aferën e sterilizimit. Habitshëm kjo nuk u bë fare lajm fare nga portalet që rrinë në gatishmëri me piskatore në dorë për të kapur ndonjë fjali edhe për “VIP-at” më budallenj që ka Shqipëria. Zonja Dibra ka vënë realisht gishtin në plagë për atë që po ndodh në PS. Ajo komentoi hapur mënyrën se si kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama ka zgjedhur bashkëpunëtorët e tij dhe që tani janë përpara drejtësisë. Pa i përmendur emrin, profesoreshë Dibra ka zgjedhur të publikojë një citim të përzgjedhur nga filozofi i Rilindjes italiane Niccolo Machiavelli, të shkëputur nga kryevepra e tij “Princi”. Shkruan Klodeta Dibra në profilin e saj:

“Machiavelli te “Princi” shkruan: “Për një princ është shumë e rëndësishme përzgjedhja e bashkëpunëtorëve, të cilët janë të mirë ose jo, në varësi të zgjuarsisë me të cilën ai i ka zgjedhur. Për ta vlerësuar këtë zgjuarsi mjafton të shohësh njerëzit që e rrethojnë. Nëse ata janë në lartësinë e detyrës dhe të besueshëm, princi mund të konsiderohet inteligjent, sepse ka ditur të çmojë aftësitë dhe besimin e tyre, nëse jo, mendimi për të duhet ndryshuar, sepse me këtë zgjedhje ai sapo ka kryer gabimin e parë…”.

Nuk ka dyshim që për Dibrën, princi i mësipërm nuk është “princi i kurorës së Arabisë Saudite”, siç e sqaron edhe vetë teksa e pyet dikush në wall. Afërmendsh, ai është Edi Rama dhe bashkëpunëtorët që e shqetësojnë Dibrën janë Arben Ahmetaj, Vangjush Dako, Ilir Beqja e të tjerë që janë në duart e drejtësisë. Dhe menjëherë pas këtij statusi ka vijuar një lumë komentesh. Një tjetër profesoreshë dhe socialiste e lashtë, dikur në strukturat e kësaj partie, Zamira Çavo, lëshoi një silurë që thjesht e vazhdon atje ku e lë Dibra teksa shkruan poshtë statusit të saj:

“Bashkëpunëtorët dhe këshilltarët për liderat tanë historikisht, janë për të bërë qoka”.

Dhe Dibra pajtohet me këtë konkluzion teksa e ka shoqëruar komentin me një “thumbs up”. Një militante e PS nga Vlora e shoqëron të njëjtin status me një mendim direkt atë që ka shkruar Dibra teksa shkruan:

“Mbureshim, por ndodh që jemi të zhgënjyer nga i pari i këtyre zullumeve”.

Dukej si një zë i mekur ajo që shkruajti Klodeta Dibra teksa kaloi fare pa u vënë re dhe pa e komentuar kush, por jo. Me një status shumë më të lartë politik se ajo, deputeti veteran socialist Petro Koçi ka vënë gishtin në plagë ndonëse e ka lokalizuar shumë problemin që ai ngre vetëm me qarkun e Fierit ku ai është deputet. Ai e quan revansh atë që administrata shtetërore është duke bërë ndaj Partisë Socialiste. Shkruan Petro Koçi:

“Një vit më parë: Në prag të zgjedhjeve të 25 Prillit 2021 qeverisja e PS ne Fier reflektoi në mënyre serioze dhe të besueshme me ndryshime me disa sektorë ku dominonte dështimi. Ndryshimet sollën rezultat zgjedhor. Fieri doli kampion në qark. Bindja se PS po reagonte në përputhje me opinionin publik në goditjen e fenomeneve negative të administratës riktheu mbështetje politike të barabartë me 2017-ën. Tani me vjen keq kur shoh se administrata ka marrë revansh mbi partinë e votuar dhe qytetarët që përfaqëson ajo. Në dilemën të flas, apo të hesht, zgjodha të flas. Edhe nëse kjo e bezdis korrupsionin në Fier. Punët e bukura nuk mund të mbulojnë punët e pista. Punët e bukura do i duartrokasim. Të pistat do i godasim. Kjo është PS”!

I papërsëritshmi në PS Erjon Braçe nuk kursen kritikat për bujqësinë dhe sigurisht që e ka direkt për ministren Frida Krifca. Shkroi Braçe më 24 gusht:

“Sa vlerë ka të dëgjosh? Unë mendoj se ka vlerë shumë. Për naftën e bujqëve dhe më shumë. U kam thënë se e urrej të them “ua thashë para 9-10 muajsh”! E dini pse? Sepse mua me intereson puna, jo konfirmimi i asaj që them! Nafta për bujqit nuk mjafton përsëri. Edhe pse çmimi ishte më i lirë, edhe pse u hoq një cikël i dytë prodhimi, edhe pse koeficenti ndryshoi, përsëri paratë dhe nafta nuk mjaftuan. Nga 35 deri në 57 për qind e bujqëve që aplikuan në bashkitë e qarkut Fier nuk e kanë marrë naftën. Tani nuk ka vlerë fare tu them “ua thashë në nëntor” e të kujtoj ç’më thatë! Nafta sot është 192 lekë dhe po shtrenjtohet. Do shtrenjtohet për pasojë cikli bujqësor i vjeshtës”.

Më mirë më saktë se këto që ka shkruar Braçe nuk ka. Vetëm se ka një problem të vockël. Ai mund t’i drejtohej direkt kryeministrit dhe kjo çështje do zgjidhej pa një pa dy. Se kështu, një status në facebook i një deputeti të rëndësishëm që dikur ka qenë zëvendëskryeministër ngjan shumë i përgjithshëm dhe vetë Braçe duket më shumë si analist i çështjeve të bujqësisë dhe jo deputet i PS-së.

RAMA PËR BASHKËPUNËTORËT DHE PËR ATA QË PYESIN NË PS PËRSE ZGJODHI PIKËRISHT “ATA”

Me këtë skuadrilje në duart e SPAK në PS pyetje përse Rama zgjodhi pikërisht këta të bashkëpunojë është kthyer në temën e ditës. Askush deri më sot në këtë parti nuk ia ka bërë këtë pyetje por fati e deshi që në konferencën për shtyp të ditës së premte një gazetar të mos e kursente. Dhe Rama iu përgjigj me një sqarim jo shumë bindës. Tha Rama:

“Kur ne zgjedhim, ne nuk i kalojmë njerëzit në sallën e torturave për të marrë vesh se ç’mund të bëjnë ata në të ardhmen. Pushteti është një lloj “kafshe” shumë e egër. Është shumë e vështirë ta mbash të zbutur dhe të mos biesh pre e dhëmbëve të veta. Ka shumë që e mbajnë, ka disa që nuk e mbajnë. Ka shumë që i rezistojnë tundimeve, ka disa që nuk i rezistojnë tundimeve, por nuk mund të bëjmë parashikime paraprake se kush do t’i rezistojë e kush s’do t’i rezistojë tundimit kur ne bëjmë zgjedhjet tona. Ne zgjedhjet i bëjmë në bazë të asaj që shohim, asaj që dimë, pastaj në proces njerëzit janë natyra të ndryshme, karaktere të ndryshme. Ka disa që janë më të fortë. Ka disa që janë më të dobët. Ka disa që pyesin. Ka disa që s’pyesin për ato që pushteti të ofron si tundim. Kështu që, mendoj që këtë gjë do ta shohim pozitivisht dhe vetëm pozitivisht. Këtu s’ka asgjë tjetër përveç përgjegjësisë individuale të secilit që nuk e mban dot peshën e tundimeve për të bërë një rrugë e dy punë dhe rezultateve të punës”.

Parimisht Rama ka të drejtë në këtë shpjegim. Por vijimi i pyetjes mund të ishte: Por në rast kur dikush që është akuzuar edhe zyrtarisht për korrupsion dhe kur opinioni për të është i zi, madje edhe në strukturat e PS e njohin për të tillë, dhe përsëri kryeministri e emëron ministër, apo drejtor, si do përgjigjej? Sigurisht që Rama ka përgjegjësi direkte në këto përzgjedhje. Ai doemos duhet t’i kalojë në sitë të gjithë ata që i emëron, sepse këtu nis edhe vlerësimi që ai merr për vete në sytë e publikut. Nëse përzgjedh dhe emëron njerëz të ndershëm dhe me opinion të mirë, të provuar në detyra shtetërore dhe partiake dhe më pas gjatë detyrës “çmendet”, sigurisht që Rama ka të drejtë. Por, kur dikush ka një opinion negativ, kur në detyrat që ka ushtruar është provuar se ka qenë xhongler parash të pista, kur në raportet që i kanë vënë në tavolinë Ramës ai e ka background-in të zi dhe përsëri Rama e emëron në një detyrë të lartë shtetërore, kjo është e pajustifikueshme dhe e pafalshme. Dhe Rama ka bërë jo pak emërime të këtij lloji. Me të drejtë socialistja Dibra këtë stil dhe këtë natyrë e shoqëron me këshillën e artë te “Princi” i Niccolo Machiavell-it.

PAMJAFTUESHMËRIA E TË FOLURIT NËN ZË

Si Klodeta Dibra, Petro Koçi dhe Erjon Braçe, me këto që kanë shprehur kanë rrezikuar karrierën e tyre në PS. Më pak Dibra që nuk ka asnjë post politik dhe shtetëror dhe më shumë Koçi, dhe akoma më shumë Ejon Braçe që është deputet dhe një politikan i rëndësishëm në strukturat e partisë. Por a mjaftojnë këto pak zëra? Sigurisht që jo. Në fakt në Partinë Socialiste flasin. Disa flasin edhe me vehten e tyre. Shumica flet me zë të ulët të formës ciu-ciu. Por, kjo nuk është as liri dhe as oponencë dhe sigurisht që nuk mund të jetë kurrë një kryengritje në pallat. Dhe xhonglerët e parave të pista nuk do kalojnë në “sallën e torturave”. Ata kushedi se çfarë posti të radhës do të marrin.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?