Kthehen në atdhe eshtrat e ish-prefektit të Tiranës, Qazim Mulletit

Aktualitet

Kthehen në atdhe nga Roma eshtrat e ish-prefektit të Tiranës Qazim Mulleti. Arkëmorti me eshtrat e Milletit ka mbërritur në Portin e Durrësit.


Familjarët e Qazim Mulletit kanë pritur në Portin e Durrësit arkëmortin e ish-prefektit të Tiranës.

Mbesa e Qazim Mulletit, në një intervistë për “News24” u shpreh mirënjohëse, ndërsa tregoi edhe për vështirësitë e asaj kohë për shkak të regjimit.

Perfaqesuesja E Familjes

“Ishte një detyrim familjar, por besoj se është edhe shoqëror. Jam një përfaqësuese e familjes, i jemi mirënjohës të gjithëve. E kemi ditur që jetonte në Romë, por komunikimi me familjen ka qenë i dhunshëm. Nënë e bir u internuan në kampin e Tepelenës. Tregonte për një dhimbje të pakrahasueshme, për hapjen e 300 varreve. Kur u largua e gjithë Europa ka qenë në luftë, nuk kishte ku të merrte familjen. Letra e familjarëve tonë si të xhaxhait, na vinin në adresë me emra të tjerë, miqsh italianë. E ka ndihmuar familjen me pako, me ushqime, por ai vdiq në moshën 62-vjeçare dhe familja i mbeti në internim gjithë jetën”, tha gjatë një interviste për gazetaren Fatmira Nikolli mbesa e Qazim Mulletit, Fatbardha.

Kush ishte Qazim Mulleti

Qazim Mulleti lindi në lagjen “Sulejman Pasha” në Tiranë, më 20 dhjetor 1893 dhe vdiq më 28 gusht 1956 Vicolo delle Grotte Romë. Ka qenë prefekt i Tiranës gjatë pushtimit fashist. Studimet e para i kreu në Manastir, i vazhdoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe së fundmi kreu studimet e larta në kolegjin perandorak “Gallata Saraj” të Stambollit, me medalje ari. Ai ishte poliglot. Dinte turqisht, osmanissht, arabisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, latinisht, serbo-kroatisht dhe greqisht.

Në 1912-ën, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe Vlorë. Në 1914-ën është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Aty, me ndërhyrjen direkte të mareshalit austriak Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studime specializimi shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës. Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës.

Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur Kryeqytet. Me ndërhyrjen e dajës së Qazimit, Mytesim Këlliçit, Abdi Toptanit dhe Qazim Mulletit, si dhe të delegatëve të tjerë të Tiranës në kongres, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë. Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë).

Më vonë, në bisedat e Kuvendit Kombëtar, Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhet të ishte Kryeqytet i Shqipërisë. Pozita gjeografike, strategjike dhe klimaterike ishin më të favorshme se ato të qytetit të Durrësit. (Tirana, de jure u bë Kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925). Në shtator të vitit 1920, është Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë.

Më 25 Prill – 3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia–Zgjimi”, së bashku me z.Hafiz Ibrahim Dalliu dhe z.Musa Maçi, si përfaqësues të shoqërisë “Lidhja Kombëtare” dhe z.Avni Rustemi të shoqërisë “Bashkimi”. Në Qeverinë e Sulejman Delvinës dhe Fan Nolit, pati një detyrë të rëndësishme, si prefekt në Dibër. Mbas dështimit të Revolucionit largohet nga Shqipëria.

Familja e Qazim Mulletit vuajti persekutimin e përndjekjen më të egër nga regjimi komunist vetëm për shkak të bindjeve dhe idealeve të tyre të lirisë e besimit.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?