SPRINT NEWS ALBANIA

Sport

Igli Tare mund të bëhet drejtor sportiv i Chelsea-s

Igli Tare u largua pas 18 vitesh nga Lazio, me presidentin Lotito që dy ditë më parë kishte fjalë zemre për ish-drejtorin sportiv shqiptar. Ndërkohë, një tjetër aventurë në këtë rol mund të nisë për ish-sulmuesin dhe kapitenin e Kombëtares shqiptare.

Këtë herë larg Italisë dhe jo në Serie A. Dhe bëhet fjalë për klubin prestigjioz të Chelsea, që kërkon të rikthehet protagonist në Premier League dhe në Evropë. Tare është takuar me presidentin e klubit londinez, Todd Boehly dhe stacioni i radhës në karrierë për të mund të jetë në ishull.

Takimi është bërë në Shqipëri në një nga rezidencat luksoze në Palasë me ndërmjetësimin e një prej menaxherëve të njohur në Evropë, shqiptarin Fali Ramadani. Boehly ka pasur edhe të birin me vete, ndërkohë që nën shoqërinë e tyre kanë qenë edhe personazhe të tjerë, mes të cilëve edhe biznesmenë shqiptarë.

Nuk bëhen të ditura detajet e këtij takimi dhe ende nuk dihet nëse Tare do të emërohet në postin e drejtorit sportiv të Chelsea, por nëse ndodh, aty do të gjente një tjetër shqiptar, Armando Brojën.

Igli Tare ka punuar me shumë futbollistë shqiptarë te Lazio, duke nisur nga Lorik Cana dhe Thomas Strakosha, për të përfunduar së fundmi me Elseid Hysajn. Aventura e Tares në Londër do të nxiste edhe më shumë Brojën për t’u rikthyer i fortë.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?