SPRINT NEWS ALBANIA

Aktualitet

Kërcënuan gazetaren dhe grupin e xhirimit, policia shoqëron dy persona në Rrogozhinë

Policia ka shoqëruar dy persona të cilët kanosën dhe kërcënuan gazetaren Marsi Korreshi dhe grupin e xhirimit të Syri TV, teksa po raportonin nga Rogozhina mbi një takim të Edison Memollës me simpatizantët.



Policia njofton se është shoqëruar A. M., 65 vjeç dhe A. M., 47 vjeç, të cilët kanosën dhe i kërkuan gazetares të largoheshin dhe të mos filmonin ambientin privat, një lokal ku po zhvillohej takimi elektoral.


Njoftimi:

Rreth orës 11:55, Policia e Rrogozhinës ka marrë një telefonatë për ndihmë, nga ekipi i xhirimit të televizionit Syri TV, pasi gjatë kohës që po realizonin një kronikë, në qytetin e Rrogozhinës, pranë një lokali, 2 shtetas i kishin kanosur dhe iu kishin kërkuar që të largoheshin dhe të mos filmonin ambientin privat.

Shërbimet e Policisë, pas marrjes së telefonatës, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ku kanë marrë kontakt me pjesëtarët e ekipit të xhirimit dhe i kanë këshilluar për të bërë kallëzim në Stacionin e Policisë Rrogozhinë, por ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim, por janë marrë dëshmitë e tyre mbi rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë identifikuan dhe shoqëruan menjëherë në Stacionin e Policisë Rrogozhinë, për veprime të mëtejshme procedurale, 2 shtetasit e përfshirë, konkretisht shtetasit A. M., 65 vjeç dhe A. M., 47 vjeç, të dy banues në Rrogozhinë.

Policia e Shtetit e çmon shumë të vlefshme dhe të rëndësishme punën e gazetarëve, si dhe marrëdhënien e tyre me Policinë e Shtetit, prandaj në këtë kuadër i siguron gazetarët se do të kenë gjithmonë mbrojtjen e Policisë, si dhe reagim të menjëhershëm, konform ligjit, ndaj kujtdo që tenton të cenojë apo pengojë gazetarët në përmbushjen e misionit të tyre.

 

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?