SPRINT NEWS ALBANIA

AktualitetPolitike

Balluku reagon për Arben Ahmetaj: Përgjegjësia është personale, nuk mbrojmë askënd!

Zv/kryeministrja Belinda Balluku tha për Zërin e Amerikës se përgjegjësia në rastin Ahmetaj, apo të gjithë atyre zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të majtë të akuzuar për korrupsion, është personale, dhe se kryeministri e mazhoranca nuk do të bëhen mburojë e askujt që akuzohet nga drejtësia.

E pyetur nëse qeveria duhet të ishte treguar më proaktive që gjatë hartimit të reformës në drejtësi, të mos liheshin hapësira që të akuzuarit për korrupsion, të largoheshin nga vendi, duke mos u përballuar me drejtësisë, zonja Balluku tha se ligjet gjithmonë kanë nevojë për përmirësim, dhe se përmirësimet vijnë nga eksperiencat që krijohen.



Zëri i Amerikës: Të ndalemi tani të zhvillimet e fundit në Shqipëri. Në parlament ka një kërkesë, që pritet të votohet ditën e hënë në seancë, për arrestimin e pararendësit tuaj, ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, personi më jetëgjatë në kabinetet e kryeministrit Rama që nga 2013. A mendoni se kjo është një goditje e rëndë për qeverinë tuaj?

Belinda Balluku: Unë do të doja ta shikoj ndryshe të gjithë këtë situatë. Ne duhet themi që Partia Socialiste ka qenë iniciatorja dhe ka qenë ajo që ka propozuar reformën në drejtësi. Dhe nga ana tjetër nuk duhet harruar që reforma në drejtësi ka qenë një premtim i programit të 2013-ës, të cilin ne e kemi mbajtur e kemi zhvilluar, dhe në 2018 nisi të ishte aktive. Sigurisht që kjo reformë në drejtësi ka edhe ndikimin e saj, dhe qëndrimi i kryeministrit dhe i qeverisë shqiptare, dhe i anëtarëve të mazhorancën së parlament është që ne kemi kontribuar që kjo reformë të zhvillohej në Shqipëri, me të gjitha përfitimet që sjell, sigurisht dhe sakrificat e mëdha që i gjithë vendi, sistemi jurik, por edhe qytetarët e Shqipërisë kanë kaluar gjatë zbatimit të kësaj reforme. Ne nuk do të dëshironim në asnjë mënyrë të ndërhynim në këtë procese, kështu që qeveria shqiptare, kryeministri edhe deputetët e mazhorancës, ne nuk kemi asgjë për të thënë sa u përket këtyre proceseve. Kryeministri e ka thënë disa herë që qeveria shqiptare nuk do të bëhet mburojë për askënd dhe përgjegjësia është personale. Kështu që këto janë procese normale dhe nuk besoj që ky është një proces ndryshe nga të tjerët. Kemi treguar që nuk kemi ndërhyrë në asnjë nga rastet kur ish-zyrtarë, ish-kryebashkiakë, ish-funksionare dhe funksionare, janë nën hetim nga kjo reformë e re, në gjyqësor dhe kudo tjetër. Janë procese për të cilat ne kemi qenë të përgatitur. Dhe sigurisht që nuk është politikë e qeverisë shqiptare, e Edi Ramës, dhe e mazhorancës që të ndërhyjë në punët e drejtësisë. Ne e dimë që kështu janë mësuar më përpara dhe e dimë që drejtësia udhëhiqej nga politika, dhe politikanët ishin ata që merrnin vendimet e drejtësisë, por nuk është kjo Partia Socialiste dhe nuk është qeveria shqiptare e udhëhequr nga Edi Rama.


Zëri i Amerikës: Ju thatë se përgjegjësia është personale, por zoti Ahmetaj, është larguar nga Shqipëria, pak orë përpara se të paraqitej kërkesa për arrestimin e tij dhe askush nuk e di vendndodhjen e tij, dhe nëse do kthehet të përballet me Drejtësinë. Dihet që Shqipëria kaloi përmes një procesi të dhimbshëm reformimi të drejtësi, por përsëri në një farë mënyrë po dështon për të mbajtur përgjegjës zyrtarët që akuzohen për korrupsion, t’i vërë ata para drejtësisë. A mendoni se qeveria duhet të ishte më proaktive që ata t’i nënshtroheshin proceseve, pasi duket se ligjet krijojnë shtigje të tilla që zyrtaret të largohen?

Belinda Balluku: Qeveria nuk mund të jetë proaktive për vendimmarrjet dhe hapat që kanë të bëjnë me drejtësinë.

Zëri i Amerikës: Them më herët para se të niste zbatimi i reformës.

Belinda Balluku: Pasi siç e thash qeveria ka vendosur prej kohësh të ndahet totalisht nga sistemi i drejtësisë. Nëse e keni fjalën për sa i takon procesit të shkrimit apo miratimit të ligjeve, gjithmonë ligjet kanë nevojë për përmirësim, dhe përmirësimet vijnë për shkak të eksperiencave që krijohen. Dhe ky nuk është faji i qeverisë. Një pjesë e opinionit publik, po thonë që qeveria nuk po mbron, anëtarët apo ish-anëtarët e saj, gjë që ne nuk kemi asnjë plan ta bëjmë. Ajo që ne do të donim të shihnim në të ardhmen ishte që i njëjti intensitet që po ndiqet nga SPAK-u sa i takon gjykimit, të ish-anëtarëve të qeverisë apo ish-kryebashkiakëve apo kryebashkiakëve apo zyrtarëve në këto momente, të jetë edhe me qeverinë e mëparshme, pasi ka dosje që prej kohësh qëndrojnë në SPAK, që kanë të bëjnë me ish-ministra me familjarë të udhëheqësve të Partisë Demokratike apo partive të tjera. Ndaj e vetmja gjë që ne kemi për të thënë, pa ushtruar asnjë lloj presioni, por është diçka që nuk e themi ne vetëm, por e thonë një pjesë e mirë e opinionit publik, do të donim të shihnim që edhe nga ana tjetër, të ndiqej e njëjta strategji, që po ndiqet me gjitha dosjet, që lidhen me Partinë Socialiste, me pjesë të kabinetit, apo ish-anëtarë të kabinetit. Por për sa i përket ligjit, ligjet ndryshojnë në bazë të eksperiencave që krijohen nga koha në kohë.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se përgjegjësitë janë individuale, por a ka ndonjë përgjegjësi morale dhe politike këtu. Sepse vetëm për cështjen e inceneratorëve janë dy ministra dhe një ish-sekretar i përgjithshëm nën akuzë, për të mos folur për shumë zyrtarë të niveleve të tjera. Dhe nga hetimet, apo cfarë është publikuar deri tani nga dosja Ahmetaj, duket se struktura të tëra shtetërore janë vënë në dispozicion të dy sipërmarrësve privatë.

Belinda Balluku: Sa i takon historisë së inceneratorëve, unë jam thirrur edhe në Komision Hetimor, padyshim që nuk kam asnjë lidhje me procesin, duke qenë se kam marrë detyrën, në 16 janar të 2019, por nga ana tjetër, unë drejtor ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, që është pjesë e këtij procesi. Dua ta them dhe një herë dhe e kam thënë ketë edhe në Komision Hetimor, ka qenë një vizion i Edi Ramës pa dyshim që ky vend, Shqipëria që duhet të kthehej në një vend turistik, ashtu siç është sot, dhe që numri i vizitorëve vetëm në aeroportin e Rinasit është 8 milionë, të mos i linte plehrat rrugëve, të mos shikonim më ato male plehrash. Se si mund të investohet në hotele ndërkombëtare, me emra dhe marka ndërkombëtare, ndërkohë jashtë derës së hotelit të shihje malet e plehrave, që në temperaturë të lartë të verës fillonin dhe digjeshin. Pra vizioni i kryeministrit, vizioni i qeverisë shqiptare, në atë kohë ka qenë një zgjidhje përfundimare e përhershme, për sa i përkiste trajtimit të mbetjeve urbane. Nëse disa ministra, nuk e kanë kryer si duhet detyrën e tyre, dhe e gjitha mbetet për t’u vendosur në gjykatë, pasi të gjithë këta ministra që ne po flasim, ish-ministra, janë në fazat e hetimit paraprak, pra ne nuk kemi një vendimarrje, nëse janë të fajshëm ose jo, janë dosjet e prokurorisë

Janë dosje të dërguara në gjykatë dhe këto dosje do të gjykohen dhe më pas ne mund të flasim nëse ata janë fajtor ose jo. Por të gjithë treguesit deri më sot, tregojnë që këto janë veprime, personale, individuale, të çdo prej anëtarëve të komisioneve apo të ish-ministrave, apo të gjithë atyre personave, që kanë qenë të përfshirë në procese dhe këtu nuk bëhet fjalë për një politikë qeveritare apo mbulim nga kreu i qeverisë. Pra këtu ka pasur një vizion, për realizimin e një projekti, sesi ky projekt është realizuar kjo është një gjë që është në duart e drejtësisë, por që sigurisht, nuk e bën me faj as kryeministrin dhe as pjesën tjetër të kabinetit, që nuk kanë qenë të përfshirë në këtë situatë.

//Marrë nga Zeri i Amerikës

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?