SPRINT NEWS ALBANIA

Aktualitet

Pedagogia që u refuzua në Shqipëri, ligjëron në Francë

E refuzuar nga të gjitha universitetet në Tiranë dhe nga administrata publike, Lorenca Bejko, prej pak kohësh, është pedagoge në Universitetin e Grenobles, Qendra për Studime Diplomatike dhe Strategjike, në Paris.

 



Për juristen 29-vjeçare, jeta mes Shqipërisë dhe Francës nuk është e lehtë.

“Kam bërë përpjekje pa fund, doja të punoja në vendin tim. Por, gjithashtu, doja një punë të dinjitetshme, të vlerësohesha për dijet e mia, të vlerësoheshin edhe sakrificat e mia dhe të familjes. Aplikova në disa universitete, por edhe në administratën publike, dhe të gjitha dyert m’u mbyllën”, thotë Lorenca për Radion Evropa e Lirë.

Ajo ka kryer studimet për drejtësi, niveli bachelor, në Universitetin e Tiranës në vitin 2015, ndërsa dy vjet pas ka kryer edhe nivelin master për të drejtën penale.

Paralelisht me studimet thotë se ka punuar – fillimisht në një kompani private, e një kohë pastaj në Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Pasi kreu masterin, provoi të punësohej në profesionin e saj. Duke parë vështirësitë që po kalonte për të gjetur punën që donte, vendosi të specializohej më shumë dhe të bënte një master të dytë jashtë Shqipërisë.

“U pranova nga tri universitete – në Poloni, Belgjikë dhe Francë. Vendosa të studioja në Francë, në Universitetin e Grenobles, master për të drejtën publike franceze, pasi programi ishte më pranë qasjes ku unë doja të specializohesha. E përfundova me rezultate të shkëlqyera, por, ndërkohë, pedagogët më nxitën të bëja edhe një doktoraturë. Nuk ishte e lehtë, por arrita të fitoja një bursë për akomodimin, e nga ana tjetër kisha mbështetjen e madhe edhe të familjes, që gjithnjë më këshillonte të mos kthehesha në Shqipëri”, thotë Lorenca.


Sipas saj, çdo prind dëshiron ta ketë afër fëmijën, por “duke e ditur se si funksionojnë punësimet – më së shumti me miq – mesa duket e parandienin se do të zhgënjehesha”, thotë ajo.

Lorenca Bejko, ligjëruese në Francë.
Lorenca Bejko, ligjëruese në Francë.

Perceptime të tilla duket se ka një pjesë e madhe e popullatës në Shqipëri. Sipas një studimi që ka publikuar Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes në muajin janar, mbi 40 për qind e të anketuarve kanë thënë se punësimi në institucionet publike është jo i drejtë dhe jo i bazuar në merita. Nepotizmi, sipas anketës, është mënyra më e përdorur për punësimin në administratë.

Lorenca, megjithatë, u kthye më Shqipëri. Ajo tregon se në kohën që mbaroi masterin e dytë, Qeveria shqiptare u bëri thirrje të rinjve shqiptarë në diasporë që të ktheheshin dhe të angazhoheshin në institucionet vendore.

“Aplikova në çdo universitet të mundshëm, mund të them në të gjitha në Tiranë, pasi e kisha ëndërr të isha pedagoge. Disa prej tyre as nuk më kthyen përgjigje në emailin tim. Të tjerë më thanë se nuk kishin hapësirë. Këmbëngula shumë, qoftë për të qenë pedagoge e jashtme apo zëvendësuese, por ishte e pamundur. E vetmja mundësi m’u dha nga një universitet modest privat, jashtë Tiranës, që për mua ishte e pamundur për shkak të largësisë”, thotë Lorenca.

“Je e mbikualifikuar!”

Pavarësisht këtij zhgënjimi nuk hoqi dorë. Thotë se vërtet dëshironte të kontribuonte për vendin e saj, por donte gjithashtu të vlerësohej për përgatitjen që kishte.

“Më pas aplikova në administratë publike dhe këtu mora disa përgjigje që as nuk i kisha imagjinuar. M’u tha që nuk kisha përvojë, kështu që nuk kualifikohesha. Si mund të ketë përvojë dikush që sapo ka mbaruar studimet? Në një tjetër intervistë pune u pyeta nëse isha pjesë e strukturave të partisë në pushtet. Ndërsa ajo që më zhgënjeu më shumë, ishte përgjigjja: je e mbikualifikuar! Pra, ti përpiqesh të studiosh, të jesh ekselente, të bësh master, doktoratura, që të kesh me çfarë të kontribuosh, dhe në fund rezulton se këto janë të tepërta. Ky ishte vërtet zhgënjim i madh për mua”, thotë Lorenca.

Kjo situatë, përveçse e zhgënjeu, e bëri të mendonte largimin nga Shqipëria dhe të kërkonte atë vend pune që ëndërronte.

“Unë kam takuar shumë të rinj shqiptarë jashtë vendit, të gjithë kanë dëshirë të kthehen, por me çfarë çmimi? Unë dhe bashkëmoshatarë të mi kemi sakrifikuar, kemi harruar edhe veten, edhe familjen, duke vënë gjithë kohën tonë në dispozicion të studimit, të bindur se do të na shërbejë në të ardhmen. Andaj, edhe kur mendon ardhjen në Shqipëri, mendon edhe si do të na kthehet, cili është çmimi? E paguajmë shtrenjtë në fakt, ose me zhgënjim ose me largim, që është më i vështirë sesa kur largohesh për herë të parë për të studiuar”, thotë pedagogia.

Emigrimi i të rinjve është një problem shqetësues për Shqipërinë, i ngritur edhe nga studime të organizatave të ndryshme.

Derisa sipas Qeverisë së vendit emigrimi është fenomen që ndodh kudo dhe lidhet me lëvizjen e lirë, një anketë e Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale, e realizuar me të rinjtë në vitin 2020, ka treguar se 79% e studentëve duan të largohen nga vendi. Në vitin 2018, kjo përqindje ka qenë 65. Sipas të njëjtit studim, 95% e atyre që studiojnë jashtë, nuk duan të kthehen në Shqipëri.

“Nëse pagat do të ishin të mjaftueshme, nëse do të kishim sindikata që funksionojnë, respektim të të drejtave dhe dinjitetit në punë dhe trajtimin e duhur, çdo i ri do të donte të ishte këtu pranë familjes. Nuk është e lehtë të largohesh dhe të jesh me kokën pas”, thotë Lorenca.

Këto, në fakt, janë edhe shqetësimet e shumicës së të rinjve në Shqipëri. Hulumtimi i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale thotë se janë tre faktorë që i shtyjnë të rinjtë të emigrojnë nga Shqipëria: ekonomik, social dhe dëshira për të vazhduar shkollimin jashtë.

Sipas Institutit të Statistikave në Shqipëri, rreth 50% e 177 mijë qytetarëve të larguar në vitet 2011-2019, kanë qenë të rinj të moshës 15-29 vjeç.

Po sipas këtij institucioni, të rinjtë kanë një shkallë më të lartë papunësie sesa grupmoshat e tjera. Gjatë vitit 2021, shkalla e papunësisë së të rinjve ka qenë 27.1%. Kjo përqindje është rreth dy herë më e lartë se niveli i papunësisë për të gjithë popullsinë.

Këtë muaj, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar një projekt-ligj që synon të frenojë largimin e mjekëve të sapodiplomuar, duke i detyruar të punojnë në vend për dy deri në pesë vjet.

Mësimet online me studentët e saj në Universitetin e Grenobles i mundësojnë Lorencës të jetojë mes Shqipërisë dhe Francës.

Në të njëjtën kohë, ajo vazhdon angazhimin në shoqërinë civile, që e ka nisur para 15 vjetësh, dhe po kryen një doktoraturë të dytë – kësaj here për të drejtën kushtetuese në Universitetin e Sorbonës dhe të Amsterdamit.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?