SPRINT NEWS ALBANIA

Aktualitet

Çuçi: Pamjet e dhunës në Krujë, të rënda e të papranueshme! Askush nuk është mbi ligjin

Të rënda e të papranueshme i konsideron Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, pamjet e dhunës në Krujë. Në një reagim në Twitter, Çuçi thotë se askush nuk është mbi ligjin. Ai shprehet se policia ka arrestuar 4 persona dhe po punon për kapjen e 3 të tjerëve, ndërsa hedh poshtë çdo akuzë që lidhet me punën e policisë për të çuar autorët përpara drejtësisë.



Të rënda e të papranueshme pamjet e dhunës në Krujë. Askush nuk është mbi ligjin dhe s’mund t’u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë. Policia e Shtetit ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesat e të dyshuarve, ka arrestuar 4 persona sot herët në mëngjes dhe po punon për kapjen sa më parë të 3 të tjerëve të përfshirë në ngjarje. Çdo insinuatë tjetër s’ka lidhje me të vërtetën dhe me punën e Policisë së Shtetit për të çuar autorët përpara drejtësisë”, thuhet në reagimin e Ministrit.



Me shkopinj bejsbolli, sende të forta dhe pistoletë në dorë, 8 persona zbresin nga 3 makina dhe nisin të dhunojnë barbarisht dy kushërinjtë Bilbil Maja dhe Jashar Maja, në një lokal në aksin Fushë Krujë-Thumanë. Ngjarja e rëndë u regjistrua mesditën e së enjtes.


Policia shoqëroi personat e përfshirë në këtë dhunë barbare të ushtruar ndaj dy kushërinjve, të cilët si pasojë e konfliktit kanë marrë dëmtime të shumta në të gjithë gjymtyrët e tyre. Më tej nga veprimet hetimore policia njoftoi se ka arrestuar 4 prej tyre, ndërsa ka shpallur në kërkim 3 të tjerë, mes të cilëve dhe Xhelal Rrajën.

Shkak i kësaj ngjarje të rëndë dyshohet të jetë bërë një konflikt mes kushërinjëve dhe grupit të dhunuesve për një gurore në Borizanë në pronësi të Petrit Rrajës. Policia thotë se konflikti ka nisur pas pretendimeve të dy kushërinjve të cilët kanë shprehur shqetësime se kur ndodhin plasje në gurore, dëmtohen banesat e tyre./tvklan.al


Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?