Zgjedhjet/ Rezultatet paraprake në Malin e Zi

Rajoni

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Malin e Zi tregojnë se Lëvizje Europa Tani doli e para me 26 përqind të votave apo 24 mandate, por jo të mjaftueshme për të formuar një qeveri e vetme. Ajo pasohet nga koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjukanoviq me 23,7 për qind ose me 21 mandate në Parlamentin e Malit të Zi.

Koalicioni pro-serb dhe pro-rus “Për të Ardhmen e Malit të Zi” (ish Fronti Demokratik) ka fituar 15 përqind të votave ose 13 mandate dhe koalicioni URA e Dritan Abazoviqit me Demokratët të Aleksa Beçiqit 12.3 përqind ose 11 mandate.

Partia Boshnjake, si partia më e madhe e pakicave në Mal të Zi fitoi 6.8 përqind të votave ose 6 mandate, kurse në parlament do të hyjë edhe Forumi Shqiptar me 2 mandate, Aleanca Shqiptare dhe Nisma Qytetare Kroate me nga 1 mandat.

Sipas të dhënave të Qendrës për Tranzicionin Demokratik, pjesëmarrja në zgjedhje ishte 56.4 për qind ose 305.760 qytetarë. Kjo është dukshëm më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur votuan 76.6 për qind, si dhe në vitin 2016, kur pjesëmarrja ishte 73.3 për qind.

Rezultatet paraprake tregojnë se më shumë vota kanë fituar partitë pro-demokratike dhe proevropiane siç është Lëvizja “Evropa Tani”, e cila u formua në mesin e vitit të kaluar dhe të cilës i përket edhe presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, koalicioni i URA-s me Demokratët dhe partitë e pakicave të cilët në koalicionin paszgjedhor mund të formojnë shumicën në parlamentin e Malit të Zi.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?