Kryeministri Edi Rama ka kujtuar këtë të hënë, 12 qershor, ditën kur trupat e Aleancës Ushtarake të NATO-s hynë në Kosovë. Ai bën një paralelizëm me situatën aktuale dhe thotë se Kosova duhet të reflektojë dhe të dalë nga qorrsokaku i grindjes me aleatët.
Pa ata që kanë qenë miq të mirë në ditët më të këqija, thotë Edi Rama, nuk do të kishte as Republikë të Kosovës dhe as liri.
“Si sot e gati çerek shekulli më parë, hyrja e NATO-s në Kosovë u rikujton të gjithëve, se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miq të mirë në ditët më të këqija, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë! Zoti i bekoftë aleatët tanë”, shkruan ai.
Duke ju referuar situatës aktuale të “përplasjes” së kryeministrit Albin Kurti me aleatët dhe ngulmimin e këtij të fundit për të mos tensionuar situatën në veri të vendit, Edi Rama thotë se Kosova duhet të dalë nga qorrsokaku ku ndodhet me dialog dhe jo me policë.
“Prandaj bash sot është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët! Kosova duhet të dalë patjetër prej qorrsokakut me dialog jo me policë, me ide konkrete jo me propagandë, me miq të mirë jo me keqtrajtim të miqve”, përmbyll ai.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër trupave ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR.
Prezenca ushtarake i dha fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.