Pak orë më parë ishte presidenti rus, Vladimir Putin që kishte pohuar, se kundërofensiva e shumëpritur e Ukrainës ka filluar. Ka prej disa ditësh “luftime intensive”, ishte shprehur Putin dhe se ukrainasit në asnjë nga segmentet e frontit nuk i kanë arritur qëllimet e tyre. Të gjitha këto të dhëna nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur. Lidershipi në Kiev aktualisht shprehet i rezervuar.
Së fundmi ka qenë disa ekspertë ushtarakë perëndimorë që kanë hamendësuar, se ofensiva e ushtrisë ukrainase është në veprim e sipër. Instituti Amerikan, Institute for the Study of War ka bërë të ditur, se ka disa tregues për këtë. Edhe “New York Times” duke iu referuar tre përfaqësuesve të lartë amerikanë ka pohuar, se kundërofensiva ka filluar ndërkohë. Televizioni NBC News duke iu referuar ushtarakëve amerikanë, pa përmendur emrat, ka konfirmuar se ofensiva ka filluar. Por ushtria ukrainase nuk i pranoi këto njoftime. “Ne nuk kemi informacione të tilla”, tha një zëdhënës i shtabit të përgjithshëm ukrainas dhe nuk pozicionohemi ndaj burimeve anonime.
Rezervuari i Zaporishjas në fokus
Sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare Atomike, IAEA rezervuari që përdoret për ftohjen e centralit atomik, Zaporishja ndodhet në kushte jo të mira. Pas shpërthimit të digës në Dnjipro, vëmendja është fokusuar tek rezervuari. Sipas IAEA presioni mbi digën përreth rezervuarit rritet së brendshmi për shkak se ka rënë ndjeshëm niveli i jashtëm i ujërave në lum, u shpreh IAEA në Vjenë. Ky autoritet që ka stacionuar vëzhgues në zonën e centralit të pushtuar nga rusët, po e vëzhgon me kujdes gjendjen, është shprehur kreu i Agjencisë Rafael Grossi. Centrali atomik nuk është në rrezik akut, por shkatërrimi i digës së Kahovkas dhe rritja e aktiviteteve ushtarake po sjellin “vështirësi të reja të mëdha”, ka thënë Grossi./DW