Deputeti demokrat Flamur Noka, në daljen e tij nga SPAK, është shprehur se organi i akuzës ka regjistruar procedime penale për kryebashkiakët socialistë, pas denoncimeve të bërë nga opozita.
I shfaqur për herë të dytë brenda 10 ditësh në SPAK, Noka u tha gazetarëve se do ta shohin shpesh në dyert e këtij institucioni. Një rast që është mësuar se është kallëzuar nga Partia Demokratike, është edhe kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi.
“Detyra jonë është dhe do ta vazhdojmë, të denoncojmë farsën, manipulimin dhe devijimin e vullnetit të shqiptarëve. Janë shumë kallëzime. Më vjen keq që e them që do më shikoni shpesh në këtë derë. Për të gjitha çështjet që unë flas, janë regjistruar (si procedim penal)”, tha ai.
Më tej, Flamur Noka u pyet nëse kishte besim në SPAK, pasi disa herë opozita dhe grupimi që ai përfaqëson e ka sulmuar organin e akuzës.
“SPAK e kemi akuzuar dhe vazhdojmë ta akuzojmë, por kanë një mundësi për të provuar që dalin jashtë xhepit të qeverisë, janë shumë denoncime. Të shikojmë nëse do bëjnë përpjekje për të dalë nga xhepat e qeverisë…”, u shpreh deputeti demokrat.