Aktualitet

Shkarkohet pas muajsh dështime shefi bullgar Svetoslav Nanchev i ONE ALBANIA

Svetoslav Nanchev, shefi bullgar i IT-së së kompanisë celulare ONE Albania, është shkarkuar nga detyra. Newsbomb.al mëson se pas muajsh dështime të njëpasnjëshme, është marrë vendimi që Svetoslav Nanchev të shkarkohet nga detyra.

Ai iu bashkua kompanisë në vitin 2019 dhe bashkë me ekipin e tij, ishin përgjegjës për përmirësimet e harduerit dhe softuerit. Por, sistemi operativ indian që u implementua ka lanë pa shërbim mijëra abonentë në gjithë vendin dhe “koka” e Svetoslav Nanchev ka qenë e radhës.

Më herët, ne kemi raportuar se edhe Róbert Budafoki, drejtues i 4iG International, kompania e re e telefonisë që ka marrë në pronësi ONE Albania dhe Albtelekom, është shkarkuar nga posti. Ai ishte emëruar në qershor 2022.

ONE Albania ka vendosur muaj më parë të largojë sistemin operativ gjerman që përdorte dhe ka instaluar një sistem indian. Bëhet fjalë për “Bharat Operating System Solutions”, i njohur si “BOSS”, një sistem i dështuar që prej muajsh ka futur në kolaps kompaninë celulare.

Pavarësisht tentativave të shumta, kompania celulare nuk ka mundur të gjejë një zgjidhje dhe së fundmi është marrë vendimi që dhe “koka e dytë” e ONE Albania të shkarkohet. Prej muajsh qytetarët dhe abonentët e kësaj kompanie celulare enden në dyert e dyqaneve, por më kot.

Mungesa e shërbimit për orë dhe ditë të tëra, mbifaturime, bllokim i bartjes së numrit, aktivizim ofertash por pa shërbim, etj janë disa nga problematikat që nuk kanë gjetur zgjidhje prej muajsh dhe qytetarët u janë drejtuar mediave duke kërkuar ndihmë.


Sipas ekspertëve të telekomunikacionit, është e papranueshme që një kompani celulare që ka në dorë numrat dhe të dhënat e më shumë se 1 milion shqiptarëve të vendosë të instalojë një sistem të dështuar operativ siç është ai indian BOSS. Kjo, thonë ata, cënon rëndë sigurinë kombëtare, pasi Shqipëria është një vend i NATO-s dhe nuk mund të largohet nga sistemet perëndimore, për të përqafuar ato që nuk kanë sukses e as përvojë në fushën e telekomunikacionit.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?