SPRINT NEWS ALBANIA

AktualitetShkrimeTe tjera

Dëshmi tronditëse e vajzës së ish-ministrit

Nga Gjergj Titani

Pjesa e dymbëdhjetë

Në pjesën e parë të kësaj interviste, të publikuar në numrin e kaluar, Asambleja, vajza e vetme e Pandi Kristos, tregoi për rininë e hershme të mbushur plot përbuzje e fyerje nga shokët e shoqet e saj dhe për neverinë e drejtuesve të Komitetit të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë të kryeqytetit. Takimet me babanë e saj në burg dhe për dëbimin e familjes së saj nga Tirana, për në Lushnjë.

Jetën e zymtë të familjes së ish-mikut të ngushtë të Enver Hoxhës dhe punët e rënda që bënin gjatë internimit, në Fermën Bujqësore të Çermës. Sjelljet e përbindshme të të plotfuqishmit të Sigurimit të Shtetit dhe të tjerëve. Si i dërgoi letër Enver e Nexhmije Hoxhës, për të vazhduar studimet e larta dhe reagimet pas kësaj letre, që shtuan edhe më shumë fatkeqësitë e familjes.

Kurse në pjesën e dytë të botuar në numrin e kaluar, znj. Asamble Kristo Vullkani, me intervistën e saj, na njohu me peripecitë e familjes, pas burgosjes së babait, Pandi Kristos dhe ndihmën e madhe që u dha xhaxhi i saj, (vëllai i Pandit), Koço Kristo, i cili si një prind i dytë u kujdes për familjen e vëllait dhe së bashku me ta, shkonin shpesh herë në burgun e Burrelit për të takuar Pandin, duke i dërguar edhe çantat me ushqime, që ai i mbante në kurriz, pasi asnjë makinë, s’pranonte t’i merrte ata, pasi e dinin se po shkonin tek burgu i Burrelit. Po kështu në pjesën e dytë të intervistës me znj. Asamble Kristo, ajo na njohu edhe për peripecitë e shumta të familjes së saj gjatë kohës kur ishin në internim më sektorin e Çermës, si dhe mjekët lushnjarë që u treguan shumë humanë me nënën e saj, duke e kuruar vetë, apo duke e dërguar me autoambulancë për kurime në Tiranë, etj.
Vijon nga numri i kaluar

Si e kujtonte babai juaj, Miladin Poviçin dhe Dushan Mugoshën?


Babai im, Pandi Kristo, fliste shpesh se, Miladin Popoviçi (i njohur në Jugosllavi me pseudonimin “Mila” dhe te ne, me atë “Aliu”), një djalosh i ri nga Mali i Zi, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave, kishte qenë shumë i sëmurë që para lufte. Ai më tregonte se, “Aliu” gjatë vitit 1938, ishte kuruar për sëmundjen e tuberkulozit, në spitalin e Golnikut.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Po për Mugoshën?

Dushan Mugosha, i njohur nga komunistët jugosllavë me pseudonimin “Dusha” dhe në Shqipëri si “Sala”, ose “Çalamani”, babai im e kujtonte si njeri të egër, me prirje terroriste, të cilat i kishte shfaqur, sidomos në Qarkun e Vlorës, në bashkëpunim me Liri Gegën, me të cilën ishin miq të shpallur. Pandi, për të dy, (Dushanin e Miladinin), nuk kishte simpati, fakt për të cilin, u shpreh hapur edhe në Plenumin e Dytë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, të mbajtur në Berat, në nëntor të vitit 1944.

Siç dihet tashmë, Miladin Popoviç, u vra në Prishtinë me anë të një atentati në zyrën e tij, në vitin 1945? Çfarë ju ka treguar babai për këtë ngjarje dhe a kanë pasur gisht në këtë vrasje komunistët shqiptarë? 

Pas largimit të Miladin Popovoçit nga Shqipëria, menjëherë pas përfundimeve të Kongresit të Përmetit, ai nisi kurimin në Itali, në një spital të aleatëve anglo-amerikanë. Më pas, ai u dërgua si sekretar i Komitetit Krahinor të Kosovës. Gjatë një dite të zakonshme pune, në zyrën e tij, hyri një mësues kosovar dhe e ekzekutoi.

Për këtë rast, babai më tregonte se, u dërgua një raport i hollësishëm në Komitetin Qendror të PKSH-së në Tiranë, nga komisari i Divizionit tonë, që operonte në Kosovë, Nënkolonel Ramiz Alia, i cili ditën që ndodhi ngjarja e rëndë, ndodhej në Prishtinë. Ndërkohë, komandanti i Divizionit tonë partizan që operonte në Kosovë, kolonel Rrahman Parllaku, ndodhej me trupat në Ferizaj…! Kaq më ka treguar babai për këtë ngjarje, por ai fliste pak dhe sigurisht që dinte shumë më shumë.

Rikthehemi te pjesa më e vështirë e jetës suaj, internimi, persekucioni dhe dhuna ishin të dallueshme, apo të rafinuara?

Sigurisht, që ishin të hapura. Dhuna zhvillohej sipas një teknologjie të përsosur, ajo kishte kaq vjet që përpunohej e, përpunohej vazhdimisht. Vetëm në këtë drejtim, mekanizmat e dhunës, nuk lëshonin pe, ndryshe ç’u kuptuam!? Dikur, në internim, apeli zhvillohej dy herë në ditë. Pra, njëherë në mëngjes, kur shkonim në punë dhe një herë kur ktheheshim nga puna. Por, kur vdiq Enver Hoxha, masat shtrënguese u shtuan. Kështu, urdhër i prerë ishte: apeli të zhvillohej tri herë në ditë. Pra në mesditë, ne duhej të bënim 7 kilometra rrugë, më këmbë, për t’u paraqitur në apel, në qendër të sektorit të Fermës dhe po aq kilometra, për t’u kthyer!

Veç kësaj torture, “vigjilenti” shumë aktiv, Operativi i Sigurimit, përbindëshi Bujar Peza, një rrugaç i lindur, bëri një riorganizim të brigadës sonë. Ai e shpërndau brigadën, duke i caktuar anëtarët e saj në brigada të tjera, në mënyrë që të krijonte vështirësi, sa më shumë për ne dhe të prishte në këtë mënyrë, mirëkuptimin dhe harmoninë brenda “ferrit” që na impononte Sigurimi i Shtetit, atë harmoni që ne kishim mundur të krijonim me njëri-tjetrin. Le të mos harrojmë se, nga intrigat e organizuara të Operativit të Sigurimit të Shtetit, apo personave të gatshëm të kësaj linje, nga kjo brigade, ishin dënuar dhe ri dënuar, mbi 28 burra, me burgime të ndryshme. Dua të theksoj, se, keqtrajtimi ndaj babait dhe meje, u programuan sistematikisht, sidomos pas vdekjes së Enver Hoxhës.

Thua se Pandi Kristo, pra babai im, unë apo të persekutuar të tjerë, ishim shkaktarë të vdekjes së tij të natyrshme. Dega e Punëve të Brendshme dhe Komiteti i Partisë të Lushnjës, organizonin herë pas here, me ne të persekutuarit, ose “armiqtë”, mbledhje kolektive, demaskuese e akuzuese, ku duhej të merrte pjesë me detyrim i gjithë kolektivi i brigadave të sektorit tonë. Shpesh, në këto mbledhje, kritikoheshin dhe akuzoheshin njerëz të ndryshëm, sidomos me prejardhje ballisto-zogiste, por edhe komuniste, të planifikuar për t’u ri dënuar.

Në këto mbledhje, shpeshherë organizoheshin edhe arrestime publike frikësuese, të cilat përfundonin në hetuesi, e më pas në burg. Për herë të pare, unë pashë demaskimin e një plaku fatkeq, që quhej Stavri Çavo. Ky ishte një fshatar mjeran, nga minoriteti grek, pa mbrojtje e pa mbështetje, madje ai edhe gjuhën shqipe, nuk e fliste mirë. Le të mos harrojmë se; Stavri Çavoja, kishte kryer një burgim të gjatë, afro 25-vjeçar. Aq e vërtetë është kjo, sa kur Stavri u kthye në fshatin e tij, pas lirimit nga burgu, rastësisht mësoi se atë ditë, dikush po martohej.

Kur i pyeti bashkëfshatarët e tij, të cilët nuk e njohën se kush ishte ky njeri, se kush po martohej atë ditë, ata i thanë: “…po martohet vajza e Stavri Çavos”. Atëherë i shkreti Stavri, tek po vështronte i tronditur nëpërmjet gardhit, dasmën e së bijës, vendosi të mos shkonte në shtëpi, për të mos prishur ceremoninë e dasmës, së vajzës së tij, të cilën e kishte lënë në barkun e s´ëmës, e atë ditë po martohej. A nuk është ky rast tragjik dhe tronditës për të shkruar një skenar filmi, po aq tronditës?! Besoj se kjo pyetja, ime nuk ka nevojë për komente të tepërta…!

Ndërkaq, në një nga këto mbledhje, kaq të rënda për t’u përjetuar, jo vetëm nga ai që demaskohej, por edhe nga të tjerët, u vu në shënjestër i vëllai i gruas, së “Heroit të Popullit”, gjeneralit të talentuar, Petrit Dume. Shpëtim Dvorani, kështu quhej i kunati i Petrit Dumes, i cili, falë shkathtësisë dhe guximit të tij, shpëtoi paq nga kjo situatë tepër e rëndë e, kërcënuese. Sikur, të mos ishte e mjaftueshme që Shpëtimit i kishin pushkatuar burrin e motrës, Petrit Dumen, i kishin futur në burg mbesën, Besa Dumen, vajza e Petrit Dumes, Mynever Dumen, kunatën e së motrës, e të tjerë persona nga kjo familje. Dua të theksoj me këtë rast, se intrigat dhe djallëzitë e njerëzve të organeve famëkeqe të Sigurimit, Punëtorë Operativë etj., që merreshin me përpunimin dhe degjenerimin e shtresës të të përndjekurve politikë, shkonin aq larg, sa i kundërvinin njerëzit e të njëjtit fis, apo familjeje, ndaj njëri-tjetrit, të cilat shpesh herë, ishin me pasoja katastrofike.

Raste të tilla, ishin tej mase të dhimbshme e, ngjallnin midis masës të të internuarve, frikë, ankth, urrejtje, pasiguri, tronditje, pesimizëm, etj. Një rast tipik i kësaj natyre, që dua ta përmend me doemos, për të ilustruar atë ç´ka thashë më lart, është edhe ai i tre vëllezërve; Mujo (Fatmir, Eqerem, Nevruz). Ata i ngritën përpara të gjithë kolektivit, për t’i demaskuar për prejardhjen e tyre balliste, dhe për faktin se, babai e xhaxhai i tyre, ishin të arratisur në SHBA-ës. Si zakonisht, filloi mbledhja. Të tre vëllezërit Mujo, ishin përgatitur seriozisht, për atë çka do të ndodhte, madje, kishin marrë me vete edhe Kushtetutën e Republikës dhe i vunë me shpatulla pas murit, Operativin e Sigurimit dhe sekretarin e dytë, të Komitetit të Partisë të rrethit të Lushnjës.

Akuzat që ngrinin autoritetet kundër vëllezërve Mujo, ishin nga më banalet, p.sh.: “Pse u mësoni fëmijëve tuaj italisht? Apo doni që të na sulmojë e të na pushtojë Italia? Apo doni që të arratiseni në Perëndim, bashkë me kalamajtë tuaj? Pse u mësoni fëmijëve anglisht dhe shikoni programet e huaja televizive, apo për të qenë të gatshëm, për t’u bërë bashkëpunëtorë të imperialistëve amerikanë…”?! Pas këtij bllofi, nuk u organizuan më mbledhje demaskuese të kësaj natyre, ndaj njerëzve të përgatitur e, me një farë shkolle, por gjuanin fakir fukarenjtë, si puna e Stavri Çavos, që e demaskonin sa herë u duhej një viktimë, një inskenim i kësaj natyre. Një ditë, pra, si këtë që u tregova, viktima e radhës, ishte përsëri Stavri i shkretë.

Kur po ktheheshim në shtëpi, pas batërdisë së organizuar nga Operativi i Sigurimit, fëmijët rrugaçë të fshatit, të organizuar mirë e bukur nga regjisori i zakonshëm, e sulmuan plakun e shkretë me gurë, e shkopinj. E po të mos kishin qenë vëllezërit Kujtim dhe Ridvan Sokoli, (vëllezërit e këngëtares së njohur korçare Merita Sokoli), e cila ishte martuar me tregtarin e suksesshëm korçar, Tika Tezha, fëmijët, do ta kishin linçuar e vrarë me gurë, Stavrin e shkretë. Nuk dua të le pa përmendur e denoncuar, rastin e hidhur të familjes së gjeneral-lejtenantit Zoi Themeli, ish-zëvendës ministër i Punëve të Brendshme dhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së. Ai, pra Zoi, ishte aq shumë i indoktrinuar dhe i politizuar sa, si rezultat edhe i karakterit të tij, jo vetëm që nuk fliste kurrë me babanë tim dhe shokët e tij të Luftës, por i cilësonte ata, me po ato akuza që i kishte dënuar diktatori Enver Hoxha.

Për më tepër, dua të theksoj se, njëra nga vajzat e tij, ra viktimë, pikërisht e intrigave që thureshin ndaj saj, nga Operativi i Sigurimit të Shtetit dhe një bashkëpunëtor i tij, i pa ndërgjegjshëm, që vinte nga shtresa e një familjeje “kolaboracioniste”, siç u thoshin ndryshe atyre. Kur e mori vesh babai dhe mamaja, tragjedinë që i kishte ndodhur Lidës, (vajzës së Zoi Themelit), sigurisht që u erdhi shumë keq dhe u pikëlluan pa masë.

Nuk kam dashur kurrë të abuzoj, me këtë rast të hidhur e fatkeq, të cilin po e përmend për herë të parë, por dua të denoncoj me forcë dhe të bëj publik, faktin se; vajza e gjeneral Zoi Themelit, u detyrua të vetëvarej, pra të vetësakrifikohej në banjën e shtëpisë, me një tel telefoni, e zhgënjyer dhe e revoltuar, nga keqtrajtimi i tej zgjatur, që i bëhej asaj dhe familjes së saj, nga mjedisi që e rrethonte, e që e krijonte me njëmijë intriga Sigurimi i degjeneruar i Shtetit. Pra, këto raste të zymta, sillnin në mjediset tona, një gjendje të rënduar shpirtërore dhe krijonin premise, për skandale e fatkeqësi të mëdha dramatike.

Çfarë bënte babai juaj Pandi Kristo, në ditët e internimit?

Dua të përmend këtu se, babai, veç minutave të apelit të domosdoshëm, para të plotfuqishmit, nuk shfaqej kurrë në publik. Babai zakonisht, pasi ngrihej herët në mëngjes dhe dëgjonte me vëmendje Radio-Tiranën, blinte gazetën “Zëri i Popullit”, të cilën e lexonte rregullisht, ai shkonte për të blerë produktet e nevojshme në dyqan dhe gatuante drekën ose darkën. Ai gatuante me shumë gusto, gjellë të shijshme.

Ky rit, babait i kishte mbetur zakon qysh nga koha e burgut të Mbretit Zog, ku çdo gjë e përgatisnin vetë…! Siç e përmenda shkarazi edhe më lart, në Fermën Bujqësore të Çermës, ne na internuan në 11 maj të vitit 1983, d.m.th., plot pas 20-vjetësh që na kishin dëbuar nga Tirana për në Lushnjë dhe banonim të detyruar në këtë qytet, me këtë status dhe ku nuk kishim të drejtë për t’u larguar nga qyteti…!

Si e mësuat dhe përjetuat vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe arrestimin e Kadri Hazbiut?

Pikërisht, kjo masë internimi, na u dha në kohën kur ndodhi vetëvrasja (të paktën ky është versioni zyrtar i njohur nga ne në Lushnjë në atë kohë), e Mehmet Shehut dhe kur si rezultat i këtij rasti, të pa precedent, u arrestua edhe Kadri Hazbiu. Unë edhe babai, e mësuam më vonë, se mjekët Zografa Gjika dhe Lefteri Dori, që përmenda me shumë respekt pak më lart, faktin që ato i kishin thirrur në Komitetin e Partisë të Lushnjës dhe iu kishin bërë presion të vazhdueshëm, që të mos vinin në shtëpinë tonë, e të vizitonin aq shpesh, mamanë time të sëmurë. Këto mjeke të mrekullueshme, nuk iu nënshtruan asnjëherë presioneve, frikësimeve të Komitetit të Partisë, apo të Degës së Punëve të Brendshme. Ato, dëgjuan zërin human të shpirtit të tyre dhe të profesionit e, kanë bërë detyrën qytetare në mënyrë shembullore.

Si ju njoftuan për internimit në Fermën Bujqësore të Çermës. Thuhet se aty, me policinë që ju mbikëqyrte, punonte edhe nipi i Lenka Çukos…?

E kujtoj shumë mirë atë ditë kur herët në mëngjes, erdhën punonjësit e Degës së Punëve të Brendshme së bashku me kryetarin e Këshillit të Lagjes dhe na njoftuan urdhrin, për vendimin që ishte marrë nga Tirana, për të na internuar në Çermë. O Zot! Kur do të merrnin fund vallë persekutimet tona?! Nuk ju mjaftoi këtyre përbindëshave, më shumë se gjysmë shekulli përndjekje?! O Zot! Ajo që është paradoksale dhe absurde, fat keqët e ekzekutivit të Lushnjës, na kërkonin me forcë që ne të firmosnim urdhrin e internimit dhe të shpreheshim tekstualisht, se e pranonim vetë dhe ishim dakord me këtë masë të çmendur! Sigurisht, ne nuk pranuam kurrsesi ta firmosnim, atë dokument të ndyrë.

Megjithatë, na ngritën me gjithçka (orenditë e pakta shtëpiake, ato pak plaçka që kishim, doemos drutë e zjarrit dhe lulet), e na fluturuan si zogjtë e korbit, drejt e në Fermën, ku vuanin dënimin edhe shumë shokë e miqtë tanë. Vend-banimin tonë të ri, pra ku do të jetonim, e ndante një mur i vetëm, me dhomën e të plotfuqishmit të Fermës, në mënyrë që të mund të përgjoheshin më mirë bisedat tona, me anën e aparaturave operative të inçizim-përgjimit. Gjashtë muaj, pas vendosjes sonë në Fermën e Çermës, mamaja u sëmur shumë rëndë. Mundësitë për ta ndihmuar, ishin minimale, por krijoheshin edhe shumë pengesa të qëllimshme. Pas disa ditë sorollatjesh në fshat, nga këto pengesa artificiale e burokratike, që na shkaktonin të ashtuquajturat autoritetet lokale, mundëm më në fund të shkonim në spitalin e Lushnjës, për ta shtruar e kuruar mamanë shumë të sëmurë.

Në këto rrethana, mamasë i shërbeja vetëm unë, sepse ishte e sëmurë shumë rëndë, kurse babanë ,nuk e lejonin të vinte në spital, veçse një herë në javë. Në atë kohë, mjek-polic, mjek-përbindësh, ishte “nallbani” Andrea Davidhi, nipi i Lenka Çukos, i cili, babanë plakë e të sëmurë, nuk e lejoi të rrinte bashkë me mua, qoftë edhe disa çaste, mbi kokën e mamasë, që pas disa ditësh vdiq. Historinë e fatkeqësisë së saj, e ka treguar me dhimbje edhe babai, në intervistën që ju keni bërë me të disa vite më parë dhe tani së fundi, e keni ribotuar përsëri.

Do të ishte me interes, të na tregonit se si u njohët me burrin tuaj, Robertin, nëse kjo pyetje nuk ju bezdis e nuk përbën ndonjë sekret? 

Unë Robertin, e kam njohur herët, madje shumë kohë më parë se ai të burgosej. Në kohën kur ishim liruar nga internimi, rastësisht, takova Robertin në spital në Tiranë. Unë nuk kam përse ta fsheh, miqësinë me Robertin, e kam ëndërruar shumë vite më parë, por do të duheshin rreth 26 vjet, që kjo ëndërr të realizohej. Atë ditë, më kujtohet se ashtu rastësisht, pas një bisede elegante e filozofike, rreth dashurisë e martesës, Roberti më tha: “Ku ta gjej unë, për shembull, të marr një grua, një shoqe jete si ti”, e diçka tjetër të kësaj natyre intime…! Atëherë, unë me shumë sinqeritet, e takt, i thashë Robertit: “… po ja ku më ke mua. Më merr…”! Kështu ishte rasti ynë dhe jam e bindur se ju, nuk do të më pyesni tani, se ç’ndodhi më vonë, kur u puthët për herë të parë etj etj., apo jo? Pikërisht pas disa ditësh apo javësh, ne u fejuam.

Por me qenë se, unë punoja në brigadën e arave e mbillnim grurë, sojë, misër foragjer e, kur u krijuan tufëzat dhe arëzat, me urdhër të Ramiz Alisë, ne kishim edhe ca privilegje të tjera, në ndarjen e prodhimit. Përfitonim fasule, lesh, kurse qumështin e merrnim çdo ditë dhe të them të drejtën, merrnim jo pak. Kështu, unë isha e detyruar, të vija në shtëpinë e re, vetëm të shtunave e të dielave. Kjo është historia e martesës sime, të vonuar me shokun tënd të fëmijërisë, me vëllanë e Petrit Vullkanit shokut tjetër të fëmijërisë tënde, i cili siç e di ti shumë mirë, është arratisur shumë vite më parë në Jugosllavi…! /Memorie.al/

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?