Me numërimin e votave për Këshillin Bashkiak shihet se një rol vendimtar për fitoren e kandidatit të Partisë Socialiste në Shkodër, Benet Beci e ka luajtur edhe Tom Doshi me partinë e tij, PSD (Partia SocialDemokrate).
Deri më tani, PSD ka siguruar 12 karrige në Këshillin Bashkiak, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 18. Progresionet e numërimit tregojnë një rritje të PSD edhe më tej, ndërsa Bashkë Fitojmë ka marrë 13 dhe PD e Alibeajt 4.
Janë numëruar 212 QV nga 247 në total. Analiza e humbjes së opozitës në Shkodër do të vijojë në ditët në vijim por ekuilibrat politike në këtë qytet tanimë kanë ndryshuar.
Kjo nuk është hera e parë që Tom Doshi kthehet faktor. Sinjalet e para se Shkodra do të shihte majtas u dhanë edhe në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Doshi, një figurë kontraverse e politikës dhe biznesit shqiptar, i shpallur nongrata nga SHBA, garoi në zgjedhjet parlamentare të 2021 në dy qarqe, Tiranë dhe Shkodër.
Në Tiranë, ai mori një mandat ndërsa në Shkodër 2. Në të dy qarqet Doshi kryesoi listën, por menjëherë pas shpalljes së rezultatit, ai dorëzoi mandatin, një lëvizje taktike që i dha mundësinë të fitonte mbështetjen me emrin e tij dhe më pas kandidatët fitues të hynin në parlament. PSD garon e vetme dhe pa marrëveshje publike me PS, por lidhja Rama-Doshi komentohet si një punë në “largësi” që dy aleatë jo në koalicion i shërbejnë njëri-tjetrit./Dosja.al