Kryeministri Edi Rama nuk e ka përjashtuar mundësinë për të kandiduar si deputet i Shkodrës, duke thënë se do të dëshoronte t’ja jepte këtë kënaqësi gjyshes së tij shkodrane.
I pyetur nëse pas Vlorës dhe Durrësit do të jetë përfaqësues i Shkodrës, Rama është shprehur:
“Do luftoj shumë që në 2025 t’ja jap këtë kënaqësi gjyshes time shkodrane, e cila më ka dhënë një pjesë të gjërave që më kanë bërë ky që jam”.
Gjatë konferencës nga Selia Rozë, Rama ka njoftuar se do të ndalojë edhe në Lazarat, gjatë turnit të tij të falenderimeve në bashkitë e fituara nga Partia Socialiste.
“Më ka pëlqyer veçanërisht rezultati i Skraparit, Pogradeci po ashtu. Ka pasur një përgjigje interesante edhe nga Lazarati, në Lazarat rezultati është domethënës në favor të kundërshtarëve, pjesë e turit tim do të jetë edhe Lazarati, për të folur për të kuptuar. Këtu mbaron edhe biseda ime, nuk kam asnjë dëshirë të qëndroj në ballin e luftës politike. Hyra në fushatë, tani vazhdoj në punën, kacafytjet duhet t’i bëjnë të tjerët, unë jam për të bërë punë të tjera”, u shpreh Rama.